Sulmuesi i Borussia Dortmund-it, Pierre-Emerick Aubameyang, është zgjedhur futbollisti afrikan më i mirë i vitit, duke lënë prapa mesfushorin e Manchester City-t, Yaya Toure-n, i cili njëherësh e mbante kurorën e më të mirit.
Atë që nuk arriti ta bënte askush për katër vite me radhë, e bëri 26-vjeçari nga Gaboni, që më në fund e zbriti nga froni Yaya Toure-n. Aubameyang ka marrë 143 vota në votimin final, kundrejt 136 votave të Yaya Toure-s. Në vend të tretë u rendit futbollisti i skuadrës angleze Swansea City, Andre Ayew, që mori 112 vota.
Aubameyang bëhet futbollisti i parë nga Gaboni që e fiton këtë çmim. Ai shënoi 29 gola në Bundesligë në 2015-ën, duke përfshirë 18 golat e këtij sezoni, si dhe shtatë të tjerë në Ligën e Europës. /tesheshi.com/