“Unë u shtrëngova t’i përgjigjem Ilir Metës në të njëjtën monedhë. Për humbjen e bashkive, e ka detyrë të shprehet lidershipi i PD”
Nga Luljeta Progni
Astrit Patozi është padyshim heroi i opozitës në këto zgjedhje. Ia ka dalë që bashkë me kandidatin e PD-së për Vorën të fitojë betejën më të fortë politike mes PD-së dhe LSI-së më 21 qershor.
Kjo betejë që dominoi një pjesë të madhe të teritorit ishte përqenduar politikisht në Vorë, atje ku deputeti demokrat Astrit Patozi drejtoi fushatën e kandidatit të PD-së, Fiqiri Ismaili. Gjatë fushatës u duk se i gjithë shteti kishtë zbarkuar atje për të fituar ndaj Fiqiri Ismailit, i mbështetur nga Astrit Patozi. Rezultati edhe pse i ngushtë është humbja faktike e Ilir Metës përballë Astrit Patozit.
Edhe pse nuk preferon të cilësohet si hero i këtyre zgjedhjeve, Patozi dhe triumfi i tij bashkë me kandidatin në Vorë, mbetën të paktat histori suksesi të 21 qershorit për opozitën.
Në një intervistë ekskluzive për “tesheshi.com”, Patozi thotë se është në pritje të rezultatit të votimit për këshilltartët, me shpresën se partia e tij ka rritur nurmin e votave. Nuk ka shumë dëshirë të komentojë humbjën e thellë të PD-së në shkallë vendi. Megjithatë ai thekson se pyetja për arsyet e humbjes së kandidatëve për bashkitë, nuk është për të por për lidershipin e partisë. Megjithatë Patozi flet për nevojën e një analizë të thellë e cila nuk u realizua as për humbëjn e 23 qershorit 2013. Fitorja e Patozit në Vorë është padyshim si një leksion për drejtuesit e PD-së që personalitet e kësaj partie nuk mund të lihen në hije pavarësisht se debateve të brendëshme…
Zoti Patozi, ju mund të konsideroheni si hero i asaj fitoreje të vogël të opozitës, por që në fakt është një fitore shumë e rëndësihme. Çfarë e mundësoi fitoren e kësaj beteje, duke pasur parasysh atë që e cilësuat gjatë fushatës si “agresionin” e LSI-së?
E para, unë jam kundër përdorimit të këtyre termave superlative, sepse nuk më pëlqejnë as për të tjerët, as për vete. Unë kam bërë detyrën time, atë që bëj çdo dy vjet dhe e bëj me vullnet dhe dëshirë të plotë.
Por ka qenë një betejë politike shumë e ashpër, ku u duk se i gjithë shteti u angzhua për t’ju mundur në atë betejë për qytetin e vogël të Vorës?
E tillë ka qenë. Nuk ishte zgjedhja jonë, ishim të detyruar që ta përballonim. Ishte një presion i papërfytyrueshëm i të gjitha segmenteve shtetit, kryesisht që kishin të bënin me LSI. Kishte një trysni policore, bandash, kishte një trysni ekzekutive sa i përket pjesës nën flamurin e LSI-së, nën qeverinë e Edi Ramës. Duhet konsideruar si një fitore e një përfaqësuesi dinjitoz të Partisë Demokratike në Bashkinë e Vorës, por mbi të gjitha një fitore e qytetarëve të Vorës, Prezës dhe Bërxullit, të cilët përjetuan fushatën më barbare dhe më të egër në historinë e zgjedhjeve shqiptare dhe ja dolën me sukses, sepse vullneti i tyre u respektua dhe çdo votë e tyre u lexua. E tillë duhet konsideruar. Më shumë si një fitore e qytetarëve ndaj dhunuesve të zgjedhjeve.
Zoti Patozi, por situata të tilla të ngjashme ku ka pasur akuza të opozitës për agresion të LSI-së edhe në zona të tjera, nuk ka ndodhur që të fitohet beteja në këtë mënyrë. Madje ka humbje të thella edhe në zona të konsideruara të lehta politikisht. Çfarë e mundsoi fitoren tuaj dhe sa ka ndikuar prania e ndërkombëtarëve në Vorë?
Unë nuk e besoj se ka ndikuar prania e tyre. Dua të shpreh mirënjohjen se ishin prezent, por nuk ka pasur ndikim të tyre në qetësimin e situatës, sepse nuk pati situatë të qetë as ditën e votimit. Unë nuk mund të bëj krahasime me zona të tjera sepse kam qenë i fokusuar në Vorë, dhe nuk kam informacion për zonat e tjera. Di të them që përballjet e PD-së me LSI-në kanë qenë relativisht të ashpra dhe ne kemi arritur të fitojmë edhe në zona të tjera, nuk ka qenë Vora rast i izoluar.
Meqënëse jemi këtu, është fjala për Pogradecin por edhe për Përmetin që PD e ka fituar përballë PS-së. Do të thotë që ka pasur një reagim të qytetarëve të dy qyteteve, pra ata kanë reaguar kundër arrogancës së pushtetit, në këto dy bashki ku kanë votuar majtas historikisht? Ndërkohë nuk është bërë e mundur që opozita të ketë të njëjtin sukses në bashki të tjera që padyshim kanë patur të njëjtat kushte të përafërta me këto dy qytete. Çfarë ndodhi me opozitën që nuk mundi të marrë votat e pakënaqësisë ndaj mazhorancës?
Është ende herët për të nxjerrë konkluzione, duhet pritur ende numërimi i votës së fundit. Kur them vota e fundit kam parasysh që duhet pritur edhe numurimi i votave për këshillat bashkiakë, sepse zgjedhjet lokale janë të tilla që nuk numërohen vetëm bashkitë që fitohen por edhe vota popullore ka ndikimin e vet, për ta përkthyer politikisht. Prandaj unë them që duhet bërë durim dhe duhet të presim rezultatin final të votave popullore në Shqipëri, për të nxjerrë një konkluzion dhe për të bërë një analizë më të ftohtë asaj që ka ndodhur në raportin e opozitës me pushtetin në këto zgjedhje.
Cilido qoftë rezultati i kësaj pjesë të dytë të numërimit të votave, besoj se do të ketë një analizë, sepse opozita nuk ka bërë një analizë të humbjes së parë?
Kjo nuk është pyetje për mua, është pyetje për autoritete më të larta në PD dhe është një pyetje që nuk më takon mua t’i jap përgjigje.
Kthehemi edhe një herë tek Vora. Mund të konsiderohet si një betejë e juaja me Ilir Metën e fituar shumë dukshëm…?
Jo sepse ajo nuk ishte sfida ime. Po të ishte për mua unë nuk do të kisha dalë asnjëherë publikisht sepse unë nuk e konsideroj si sfidë personale, këto janë zgjedhje lokale. Unë nuk kam kandiduar kurrë për kryetar bashkie dhe as për këshilltar bashkiak. Betejat e mia i kam pasur sa herë Shqipëria ka pasur betëjë politike, e tillë do të jetë edhe pas dy vjetësh. Unë kam qenë i detyruar që të flas sepse e tillë ishte situate, sepse atje kishte nevojë që gjërat të thuheshin dhe të bëheshin publike për të gjitha institucionet të cilat ishin të interesuara për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këtë rast nuk besoj se kam ndonjë meritë në fitoren e përfaqësuesit të PD, përveç faktit që kam bërë detyrën.
E kuptoj modestinë tuaj, por ka qënë e dukshme gjatë fushatës kjo përballje juaja me LSI për të mbrojtur kandiatin tuaj?
Unë u shtrëngova t’i përgjigjem Ilir Metës Metës në të njëjtën monedhë. Them u shtrëngova sepse nuk kisha dëshirë të bëja këtë punë. U detyrova sepse e tillë ishte trysnia, nuk mendoj se kam bërë më shumë se detyrën time si përfaqësues i opozitës.
/tesheshi.com/