Në sallonin e Fotografisë në Paris në vitin 1859, shkencëtari francez, Louis Figuier u mrekullua nga shumë vendndodhje ekzotike që ishin ekspozuar. Fotografia në atë kohë mezi kuptohej, shkroi ai, ndërsa një “bandë e gjithë operatorësh nxituan përpara… në të gjitha drejtimet, për të na sjellë panorama të monumenteve, ndërtesave dhe rrënojave të shkrepura në të gjitha teerritoret e njohura mbi tokë”.
Gjatë shekullit të 19-të, përparimet teknologjike dhe përhapja e sundimit kolonialist çuan në një lëvizshmëri më të madhe globale – të paktën për anëtarët e ushtrisë dhe europianët e pasur. Rezultati ishte një “boom” në fotografinë e udhëtimit, një histori që ilustrohet pasurisht nga një ekspozitë e hapur së fundmi në Londër. “Ditare fotografike nga India e viteve 1855-1870” paraqet punimet e tre fotografëve të hershëm britanikë në Indi.
Koha e gjatë përpara shkrepjes do të thotë se peizazhet dhe arkitektura shpesh përbënin subjektet më të mira. India, me spektrin e gjerë të maleve, pallateve, xhamive dhe fortesave u dallua menjëherë të ishte një minierë ari për fotografët në kërkim të plotësimit të kërkesës së publikut. “Një terren po aq i shkëlqyer sa edhe çdo vend tjetër në botë”, entuzizmohej misionari Joseph Mullens nga Kalkuta në vitin 1857. “Ka një interes të thellë e në rritje që ndjehet tashmë në Europë për çdo gjë indiane”.
Megjithatë, ndërsa tregu i fotografisë lulëzonte, India po kalonte përmes një periudhe trazirash të mëdha politike. Rebelimi Indian i vitit 1857, që solli shkrirjen e kompanisë “East India” dhe institucionalizimin e Raxhait britanik, u përhap në të gjithë veriun e vendit dhe zgjati për më shumë se një vit përpara se të shtypej nga britanikët. Nëse solli diçka, sidoqoftë, rebelimi rriti dëshirën e publikut për ta parë Indinë përmes syve panoramikë. Përshkrimet e lokacioneve të betejave të famshme dhe rrethimeve u shndërruan shpejt në diçka shumë popullore midis britanikëve si në Indi ashtu edhe “pas në shtëpi”; ato ndihmuan t’i japin shkëlqimkujtimit të kësaj sfide të dhimbshme të autoritetit kolonial dhe inkurajuan turistë të rinj të vizitonin vendndodhje dhe memoriale. Tetë fotografitë e paraqitura më poshtë janë të ndërlidhura me këtë moment historik.
Hyrja për në Hoosainabad, Lucknow (1866) Samuel Bourne mbërriti në Indi gjashtë vjet pas ngjarjeve të dhunshme të vitit 1857; ai ishte i vendosur të bëhej një fotograf profesionist i suksesshëm pasi la punën si nëpunës banke. Shpejt u tërhoq nga vendndodhjet tashmë të mirënjohura pas rebelimit. Kjo fotografi është shkrepur në Lucknow, tetë vjet pas rrethimit që u raportua gjerësisht nga shtypi ndërkombëtar.
Pamje e Dal Canal, Srinigar, Kashmir (1856) Syrin e fotografit e tërhoqën edhe skena më rurale. Kjo fotografi u morr gjatë një udhëtimi në Kashmir, dhe tregon aftësinë e Bourne me skenate qeta e piktoreske në peizazhin Indian. Për shkak të atmosferës së qetësisë, thotë kuratorja e koleksionit, fotografitë e Bourne qarkulluan në Britani dhe në Europë me ekpozita dhe publikime “për të inkurajuar besimin në një perandori të pafund e të qëndrueshme”.
Brendësia e pallatit Diwan-i Khas apo Holli i Pritjeve Private, Red Fort, Delhi (1860) Fotografitë e Bourne kishin vlerë në propagandë, por ato po ashtu e shfaqnin atë një fotograf të aftë, të dashuruar pastërtisht me subjektin e fotos. Brendësitë si kjo janë kompozuar me ekspertizë të lartë dhe të ndriçuara për të nxjerrë në pah detajet plot shije dhe një ndjesi mbushëse hapësinore.
Xhamia Jama, Agra (1856) Dr John Murray, kirurg civil mbërriti në Indi në vitin 1833, por vetëm në vitin 1849 ai nisi të eksperimentojë me procesin fotografik kalotip kur filloi dokumentimin e arkitekturës së Agras ku ai jetonte dhe punonte. Ky imazh i një prej xhamive më të mëdha në Indi, është kornizuar me kujdes për të theksuar kontrastin me panelet e lyera në të bardhë. Një vështrim më nga afër shfaq figura fantazmagorike të ulura përpara që japin ndjesinë e madhështisë marramendëse të ndërtesës.
Taj Mahal nga lindja (fillimi i viteve 1860) Në atë kohë nuk kishte asnjë mënyrë të thjeshtë për të zmadhuar një fotografi përtej madhësisë së negativit. Murray iu desh të punonte me kamera të mëdha kaba në mënyrë që të bënte të mundur që negativët të ishin po aq të mëdhenj dhe të detajonin sa më shumë të ishte e mundur, duke rezultuar në imazhe tronditëse si ky në foto, që ishte pjesë e studimit të tij të elaboruar për Taj Mahal. Fotografuar pas trazirave, procesi u financua nga autoritetet koloniale.
Udhëz në anën jugore të Puthu Mundapum, Madura (1858) Kapiteni Linnaeus Tripe është relativisht i panjohur në historinë e fotografisë (“Vetëm emri i tij ka qenë vërtet tingëllues”, shkruantë një kritik i vonë). Pavarësisht kredencialeve ushtarake të Tripe, nga të tre fotografët ai ishte gjithashtu, në mënyrë ironike më pak i interesuari në ngjarjet e vitit 1857, duke preferuar të zhytej në studimin e jugut induan dhe arkitekturës burmeze, larg prej luftimeve. Kjo vazhdoi derisa autoritetet e pas trazirave ndaluan së financuari fotografin, pasi në dritën e regjimit të ri që po shkurtonte shpenzimet, katalogjet e tij të shtrenjtë ishin të pavend.
Pagoda e Madhe në Tanjore, pamje jugore (1858) Ishte për të ardhur keq që Tripe-s iu ndalua të vazhdonte projektet e tij, pasi imazhet e tij të pagodave jugore indiane, të tilla si kjo në foto, janë të jashtëzakonshme, në një lojë të guximshme me kornizimin dhe perspektivën. Edhe pse fillimisht ai i kishte hyrë fotografisë thjesht për të bërë regjistrimin historik të ndërtesave dhe skulpturave, drejt fundit të karrierës së tij, Tripe u josh nga mundësitë estetike të artit, duke prodhuar dy seri finale me “studime” kushtuar vetëm peizazheve në vitin 1869, përpara tërheqjes në pension. Ishte një ndryshim freskues nga katalogjet arkitekturore sistemike që i kishin siguruar reputacionin.
Maharaxhai i Patialas dhe shoqëruesit (1870s) Edhe pse arkitektura dominon këtë ekspozitë, ka po ashtu një numër portretesh të shkëlqyer, të tillë si Maharaxhai i Patialas, nga Bourne & Shepherd, studioja fotografike që Bourne themeloi në Kalkuta. Kjo studio vazhdon punën edhe sot e kësaj dite, që e bën atë studion më të vjetër funksionale në botë.