Nga mesnata e së martës, një tjetër armëpushim prej 48 orësh ka nisur në Halep dhe në periferitë e tij. Lajmi është dhënë përmes një deklarate të ushtrisë siriane të regjimit të Esadit.
Një varg armëpushimesh lokale ka patur që nga 29 prilli, duke përfshirë së pari rrethinat e Damaskut dhe Latakias, e për t’u shtrirë më tej, për shkak të presionit ndërkombëtar, dhe në Halep.
Ndërprerja e luftimeve hyri në fuqi në Halep në mesin e javës së shkuar, dhe gjer sot ka patur dy shtyrje të tij. Pavarësisht armëpushimit, janë raportuar luftime sporadike në pjesë të ndryshme të provincës.
Shkëmbimet e zjarrit kanë qenë më të mëdha në jugperëndim të Halepit, ku kundërshtarët e regjimit ia dolën të marrin të premten lokalitetin e Ham Tumanit. Siç njofton Reuters, trupat siriane të regjimit dhe ato aleate iraniane pësuan humbje të mëdha gjatë luftimeve.
Armëpushimi i tanishëm e ka fundin e tij në mbarim të së mërkurës.
Halepi është prej javësh zona më e nxehtë e konfliktit sirian. Qindra civilë kanë humbur jetën nga bombardimet dhe sulmet ajrore të regjimit sirian, ndërsa qyteti, një prej më të lulëzuarve në vend para konfliktit, është kthyer në gërmadhë. /tesheshi.com/