Ardit Bido, gazetar, historian, njëherësh kreu i Arkivit Shqiptar, promovoi në jug librin e tij studimor me theks ndërgjegjësues në funksion të Censusit, “Beteja për 20 përqindëshin”.
Delvina, qyteti i origjinës së tij, me bashkëjetesë model shqiptarë e grekë; Saranda gjithashtu ku ai lindi, u rrit dhe u shkollua; më pas Konispoli, Himara e Vlora ishin stacionet e tij kumtuese e bashkëbiseduese, ku ai qartësoi dhe njëherë se ç’synon libri i tij studimor, të cilin e botoi në kulmin e një debati mbi përqindjen e popullsisë minoritare në jug të vendit si dhe në Breg, fshatrat e Rivierës, ku dallon fshat-qytet Himara, gjithnjë me debatin e nxehtë mbi atë nëse ka apo minoritet grek aty.
Asaj që Bido i druhet në këtë proces Censusi në zhvillim, për shkak të të cilit ka botuar dhe librin me të dhëna të forta statistikore, duke patur si avantazh akademik dhe referencat e studiuesve seriozë grekë, është një artificialitet mbi të vërtetën e popullsisë minoritare, e cila nga rreth 13 përqind sa është, me forma manipulative mund të shkojë deri në 20 përqind, gjë që do çonte në pasjen e tabelave dygjuhëshe nga cepi më jugor i Shqipërisë, Konispoli, deri në Llogara. Dhe kjo sipas tij, në një të ardhme mund të ketë implikime të rrezikshme politike deri në tendencën për një lloj Asosacioni si në rastin e serbëve të Kosovës. Nëse ndodh kjo, shpjegoi Bido, do cenohet kohezioni social i një bashkëjetese me minoritetin.
Bido shpjegon fluiditetin entik në disa zona, gjë e patrajtuar më parë nga studiues shqiptarë.
Këtë u përpoq ta shpjegonte dhe në Himarë, aty ku ka një tension muajt e fundit për shkak të çështjes “Beleri” e cila ka kofonduar dhe me kauzën e Bidos. Kjo pasi ky i fundit ka parë te Beleri pikërisht projektin e rrezikshëm të 20 përqindëshit, i cili mund të prodhohet, më saktë sajohet, duke abuzuar me komunitetet fluide.
Gjatë kumtimit të përmbajtjes së librit në Himarë, diçka sfiduese nga ana e tij, pati një grup greqishtfolësish të Himarës, ose thënë ndryshe beleristësh, nga ata që e konsiderojnë veten me kombësi greke, të cilët tentuan ta kundërshtonin Bidon me një lloj nervoziteti e jo me ndonjë oponencë në nivel të përafërt me librin, me autorin që u përpoq t’u thoshte se në libër shkruhej dhe potencohej pikërisht ajo çfarë ata pretendonin: të qënit grekë. Po, Himara fshat, siç u tha Bido, është afërsisht 90 përqind greqishtfolëse. Kjo solli që në fund, mes tyre të gjerbej një kafe miqësore, duke e epiloguar debatin te paqja sociale, bashkëjetesa që ne kemi si shoqëri, gjë që përbën dhe shqetësimin bazë të Bidos se mos humbet nga sajesat artificiale të përqindjeve minoritare në Jug dhe Breg.
Ja ç’thotë autori në rrethana “paqeje pas një furtune” pikërisht në Himarë: