Gjithë pjesa lindore e Halepit e cila ndodhet aktualisht nën kontrollin e kryengritësve në Siri, mund të shkatërrohet deri për Krishtlindje, nëse bombardimet ruse vazhdojnë në qytet. Kështu ka paralajmëruar i dërguari special i OKB-së për Sirinë, duke i cilësuar bombardimet ruse si “mizore dhe të pandalshme”.
Në një apel personal emocional nga Gjeneva, Staffan de Mistura tha se shkalla e tragjedisë humanitare në pjesën e rrethuar të qytetit është e paparë, dhe se bota e ka të domosdoshme të parandalojë “një tjetër Srebrenicë, një tjetër Ruandë”.
Ai tha se kishte vullnetin të shkonte personalisht në lindje të Halepit për të nxjerrë jashtë qytetit rreth 1 mijë luftëtarë islamistë nëse kjo do të thoshte ndalje të bombardimeve nga rusët dhe forcat siriane.
Historia do ta gjykojë Rusinë dhe Sirinë shumë ashpër, shtoi ai, nëse ata përdorin praninë e rreth 900 luftëtarëve t ëish-Frontit al Nusra si një “alibi e lehtë” për të shkatërruar zonën e rrethuar dhe për të vrarë me mijëra nga 275 mijë qytetarët atje- 100 mijë prej të cilëve janë fëmijë.
“Pika e fundit është afër, maksimumi brenda dy muajsh apo dy muajsh e gjysmë. Brenda kësaj kohe, lindja e qytetit të Halepit me këtë shkallë shkatërrimi do të jetë tërësisht e rrënuar dhe me mijëra civilë sirianë, jo terroristë, do të vriten, do të plagosen e me qindra do të mbeten refugjatë në arrati në kërkim të shpëtimit”, tha ai.
Duke iu drejtuar Kremlinit me një pyetje, ai tha: “A jeni vërtet të gatshëm të vazhdoni me këtë nivel luftimesh dhe de facto të shkatërroni krejtësisht qytetin antik?”. Mesazhi i tij iu drejtohej edhe anëtarëve të Al-Nusrës, tashmë të njohur si Jabhat Fatah al-Sham, duke thënë se ky grup po “vendoste fatin e 275 mijë civilëve”, duke refuzuar të largohen nga qyteti.
Ai shtoi se prania e luftëtarëve nuk duhet të përdoret si një alibi e thjeshtë për shkatërrimin e qytetit, e theksoi se nëse prania e tij personale do të ishte një garanci për sigurinë e këtyre luftëtarëve që të largohen nga qyteti, ai do të mund të ofronte trupin e tij.
Këshilltari i OKB-së për emergjencat, Jan Egeland, tha se të paktën 376 persona janë vrarë dhe 1266 të tjerë janë plagosur në dy javët e fundit në Halep. De Mistura theksoi se dy spitale janë shkatërruar dhe në total 600 pacientë janë në nevojë për evakuuim mjekësor.
Paralajmërimi vjen ndërsa forcat qeveritare siriane raportohet se kanë përparuar ndaj kryengritësve brenda Halepit, duke shënuar fitoret më të mëdha në qytet në vite. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se luftëtarët besnikë të regjimit tashmë kontrollojnë rreth gjysmën e lagjes Bustan al-Basha, në afërsi të qendrës së metropolit të ndarë.
“Eshtë përparimi më i rëndësishëm për regjimin në Alepp që nga viti 2013”, tha kreu i Obsvervatorit, Rami Abdurrahman.
Në planin diplomatik, De Mistura tha se vendimi i amerikanëve dhe rusëve për të pezulluar bashkëpunimin dypalësh për Sirinë është një zmbrapsje serioze. Por, ai këmbënguli se grupi ndërkombëtar për Sirinë, një grup më i gjerë shtetesh që po përpiqen të arrijnë armëpushimin, përfshirë edhe task-forcën humanitare që mbështetet nga OKB, nuk duhet të heqë dorë.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, ishte në Moskë këtë të enjte për të kërkuar mbështetje për një rezolutë të re të OKB-së që ndalon fluturimet sipër Halepit, rinisjen e ndihmës humanitare dhe një mekanizëm vëzhgues për të kqyrur shkeljet e marrëveshjeve dhe ato të ligjit publik ndërkombëtar.
Shanset e tij për sukses janë të pakta. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë ndërprerë bisedimet për armëpushimin ndërsa secila palë akuzon tjetrën për mungesë besimi në lidhje me dështimin e përpjekjes së fundit për një armëpushim.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/