Komuniteti i gazetarëve që kundërshtojnë ligjin “anti-shpifje” të qeverisë vendosën të protestojnë në rrugë, duke zgjedhur të mërkurën e 18 dhjetorit në orën 9.
Grafikisht, ata zgjodhën të godasin Ramën me ERTV-në e tij, duke e konsideruar atë, vetë kryeministrin dhe televizionin e tij në FB, si bllokues të fjalës së lirë. Kjo çoi në një reagim të shefit të qeverisë, i cili përçoi mesazhin se nuk do tërhiqet.
“Ose s’e kanë lexuar projekt-ligjin ose duan të prekin lirisht dinjitetin e çdokujt nëpër portale e faqe sociale dhe të tallen me të vërtetën e me opinionin publik, duke shkruar çfarë t’u teket, duke shpifur sa e si t’u teket, duke shantazhuar e duke i vënë gjoba kujt t’u teket!
Projekt-ligji është konsultuar e përpunuar prej një viti, nen për nen e pikë për pikë me OSBE dhe do të hyjë në seancë pa asnjë cen në aspektin e standardeve të lirisë për t’u shprehur e të së drejtës për t’u informuar pa kufizim, po edhe të mundësisë për t’u mbrojtur nga shpifjet.
Sa për ERTV-në faleminderit për publicitetin dhe mos ma prekni ju lutem fjalën time të drejtpërdrejtë, për të gjithë ata që hyjnë pa asnjë detyrim në faqen time të fejsbukut, ku po u pëlqeu rrinë po s’u pëlqeu ikin”, shkroi Rama në rrjete. /tesheshi.com/