“Një hyn, një del”. Ky është kompromisi i papritur që mbajti të zënë në bisedime liderët e Bashkimit Europian dhe ata turq në Bruksel ndërsa po kërkonin mjetet për të menaxhuar krizën e refugjatëve në Europë.
Detajet pritet të dalin së shpejti ndërsa bisedimet arritën pikën kritike, dhe plani do të shfaqet i plotë. Por, të paktën në një pikë të bisedimeve, liderët e Bashkimit Europian po merrnin në konsideratë sistemimin e rregullt të një siriani që vjen direkt nga Turqia në këmbim të azilkërkuesit që Turqia do të ripranojë pas zbarkimit të tyre në brigjet e Greqisë fqinje.
Për disa duket si progres. Një skemë e tillë mund t’i japë fund kaosit në detin Egje, ndërsa bën të mundur që Europa të përmbushë detyrimet e saj humanitare. Sirianët mund të kenë sërish një të ardhme në Europë, por ndërkohë ccinkurajohen nga përpjekjet për të kaluar në kontinent me anë të rrugëve të rrezikshme.
Papritur, pretendimet arrogante të bëra nga Donald Tusk, president i Këshillit Europian u duk se morën më shumë kuptim.
“Me këtë”, tha ai, me një energji që dukej se nxirrte në shesh situatën e vështirë, “ne do të mbyllim rrugën e Ballkanit”.
Një vëzhgim më i afërt sugjeron se Tusk mund të ketë folur shumë herët. Sa për të nisur, është e paqartë nëse një marrëveshje ripranimi me Turqinë do të ketë bazë ligjore apo morale. Zëdhënësi i Amnesty International tha se marrëveshja ia vlen të eksplorohet në parim, por shtoi se koncepti i rikthimit të njerëzve rrezikon hedhjen poshtë të Konventës së OKB-së për refugjatët, që përbën një nga arritjet bazë të periudhës pas Holokaustit.
Në terma praktike, propozimi “një brenda, një jashtë” inkurajon njerëzit të kalojnë Egjeun dhe ccinkurajon qeverinë turke nga ndalja e tyre. Nëse BE do të pranojë vetëm aq refugjatë sa numri i atyre që arrijnë në Greqi dhe kthehen pas, atëherë si refugjatët ashtu edhe turqit do kenë më shumë stimul që sa më shumë refugjatë të arrijnë në Greqi.
Nëse kjo marrëveshje është përfundimtare, mund të duhen muaj përpara se Turqia të ripranojë numra të mëdhenj azilkërkuesish që vijojnë të zbarkojnë në ishujt grekë. Turqia në këmbim duhet të menaxhojë marrëveshjet e ripranimit me vendet nga vijnë azilkërkuesit josirianë dhe kjo lloj negociate me gjasa do të kërkojë kohë.
Ndërkohë, një numër në rritje azilkërkuesish do të vijojnë të mbërrijnë në Greqi. Nëse plani i Tusk për të vulosur kufirin maqedonas mban, atëherë Greqia përballet me një makth të paparashikuar. Vendi do të shndërrohet në një kafaz për qindra mijë njerëz, ndërkohë që autoritetet nuk kanë burimet e nevojshme për t’i strehuar apo regjistruar.
Por, kjo vetëm nëse Ballkani të mund të mbyllje krejtësisht për Greqinë.
“Me këtë”, tha Tusk, “Ballkani mund të mbyllet”. Por eksperiencat e mëparshme sugjerojnë se kjo nuk është e mundur. Në fillim të viteve ’90, pas rënies së diktaturës në Shqipëri, të paktën 250 mijë shqiptarë ndërmorrën kalimin e rrezikshëm përmes kufirit malor me Greqinë. Punonjësit e ndihmave thonë se pak sirianë, 25 vjet ëm pas, po e rihapin këtë rrugë. Një pjesë e tyre mund të ringjallin rrugën e trafikut në kufirin detar Shqipëri-Itali, që dikur ka qenë një rrugë kryesore për azilkërkuesit.
Gjithashtu, është edhe kufiri greko-bullgar , që është kaluar nga rreth 30 mijë njerëz në vitin 2015, pavarësisht ndërtimit të një gardhi përgjatë pjesës më të madhe të gjatësisë së tij. E në fund, analistët presin një kulmim të kalimeve të paligjshme në detin e Zi nga veriu i Turqisë drejt Ukrainës dhe lindjes së Ballkanit. Aty ku ka një mur, zakonisht ekziston edhe një mënyrë për ta kapërcyer. Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/