Nga Ylli Pata
Është rihapur debati mbi progresin elektoral të Partisë Demokratike ndër vite, për të cilin, Çim Peka, një gazetar pranë familjes Berisha dhe Edi Paloka, nënkryetar i PD-së janë përplasur në Top Story.
Peka nuk ka pranuar frazën e Bashës thënë në 27-vjetorin e PD-së, për një parti që sa herë rrëzohet aq herë ngrihet më e fortë. Dhe si ilustrim ka marrë rënien akoma më poshtë në 2015-ën, nga 2013-ta, ndërkohë që në 2001-in ishte në ngjitje na 97-ta. Por kjo nuk është pranuar nga Paloka, i cili mbrojti versionin se në 97-ën, rezultati ishte më i mirë se në 2001-in. Po si qëndron e vërteta?
Një analizë politike e shifrave të zgjedhjeve në vite me kutet e zhvillimeve të sotme politike, do të ishte vetëm e mangët, pasi në vitin 2014 ka ndodhur një zhvillim radikal, i cili e ka ndryshuar përfundimisht konfigurimin politik të Shqipërisë.
Ky zhvillim e ka emrin “Reformë Territoriale dhe Administrative”, e cila e ka rikonfiguruar gjeopolitikën elektorale në Shqipëri.
Dikur, 400 komunat dhe administratat e tyre krijuan një mikroklimë më shumë se tribal; ato ishin grupe interesi determinante për të përcaktuar ekuilibrat zgjedhorë.
Komunat dhe kryetarët e tyre qeverisnin, grumbullonin dhe menaxhonin klientelën e votave që krijoi deri në vitin 2013 një ndarje forcash që u duk se paravendoseshin mandatet para zgjedhjeve, e lufta bëhej për 2 apo 3 mandate. Sidomos pas ardhjes së Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste në vitin 2007, u krijua një ekuilibër ndryshe forcash.
Rama, duke pasur përvojën e betejave elektorale të Tiranës, investoi fort në fitoren e së majtës në bashkitë kryesore të vendit, duke mos zgjeruar të ashtuquajtur “trenin elektoral”. Kurse Sali Berisha ruajti një aleancë fluide me më shumë se 20 parti të vogla, të cilat i siguruan tij atë shumicë që në vitin 2007 do ta quante “Blu Albania”, duke iu referuar hartës së ngjyrosur.
Ekuilibrat elektoralë përbëhen nga numri i përgjithshëm i votave të fituara dhe numri i njësive elektorale që siguron mandate. Shqipëria ka një sistem zgjedhor proporcional rajonal që ka ndryshuar ekuilibrat e vjetra të 100 zonave mazhoritare, ku një deputet duhet të fitonte shumicën për të ardhur në Parlament. Mazhoritari ishte një sistem ku fituesi i merr të gjitha dhe humbësi të anasjelltën. Kurse sistemi aktual, i siguron PD-së deputetë edhe në Vlorë ku kjo parti nuk fitonte kurrë, apo PS-së në Kukës e Shkodër, ku nuk merrte kurrë deputetë.
Në zgjedhjet e qershorit 1997, PD pësoi një disfatë të rëndë, ku nga 150 deputetë që ka parlamenti mori vetëm 24 sosh direkt. Katastrofa më e madhe ishte Tirana, ku nga 15 zona zgjedhore, PD i humbi të gjitha.
Në rang kombëtar, PD-ja mori 25% të votave apo 336.167 vota. Por nga ana tjetër, aleatët e djathtë të saj duke nisur nga Partia Republikane me Sabri Godon atëherë, e duke vazhduar me Ballin dhe Legalitetin, por edhe me demokristianët e Zef Bushatit, morën më shumë se 112 mijë vota gjithsej. Pra thjesht duke shtuar këto vota, PD shkonte në nivelin e 440 mijë votave. Gati të njëjtat që i ka marrë në zgjedhjet e vitit 2001.
Në votimet e 2001-shit, e djathta garoi së bashku si koalicion me siglën “Bashkimi për Fitore” dhe mori 494 mijë vota, vetëm rreth 50 mijë vota më pak se PS-ja që garoi e vetme.
Por duhet llogaritur në rezultatin e së djathtës edhe votat që mori PDr-ja e Genc Pollos, që nuk ishin pak por gjithsej 68 mijë vota. Ndërkaq, aleatët e vegjël të së majtës si PSD-ja e Gjinushit, PAD-ja e Neritan Cekës, apo Agrarja e Xhuvelit, së bashku morën rreth 130 mijë vota. Megjithatë në garën direkte në 100 zona, PD arriti që të rimëkëmbet në kryeqytet ku fitoi në garë direkte gati 5 mandate brenda bashkisë dhe po kaq në fshatrat përreth që i dhanë një shtysë opozitës për të pretenduar riardhjen në qeverisje.
Kurse në vitin 2005 u përdor skema e “Megadushkut” dhe rezultatet ishin totalisht të çorientuara. Partitë e mëdha e orientuan votën drejt aleatëve, duke i përdorur për të rritur artificialisht mandatet. Ja shembulli më tipik i 2 korrikut 2005: PD mori si subjekt politik vetëm 105 mijë vota, kurse PS 121 mijë. Më shumë vota kishin PSD-ja e Gjinushit 174 mijë apo PR-ja e Mediut 272 mijë, pra mbi 100 mijë më shumë se PD-ja. Zgjedhjet e atij viti e tronditën ekuilibrin politik, duke humbur sensin e realitetit.
Një lloj barazpeshe u kthye në vitin 2009 por me një sistem të ri, siç ishte ai proporcional rajonal që dha konfigurimin e njohur që kemi dhe sot.
Çfarë është ky konfigurim? Ajo që thuajse në të gjitha qarqet dihej kush ishte minimum i palëvizshëm i partive të mëdha dhe luftohej për një mandat, kryesisht në qarqet e mëdha si Tirana apo Fieri. Por ç’ndodhi më 25 qershor, për të cilët kritikët kryqëzojnë Lulzim Bashën?
Të gjithë përmendin 200 mijë vota më pak që Lulzim Basha ka marrë, pra më pak se Sali Berisha në vitin 2013 kur ishte në qeveri(edhe pse në ikje) dhe kishte me vete trenin e 25 partive. Por askush nuk e bën hesapin me hanxhinë e vërtetë të sistemit të ri, atë që motori është kryetari i 61 bashkive të reja, duke e kthyer në faktorin më të rëndësishëm politik dhe determinant në konfigurimin politik.
Lulzim Basha e kuptoi këtë herët, por e zbatoi vende-vende; në Kavajë për shembull, ku arriti të mundë Elvis Rroshin.
Por Basha u tregua jo sistematik në këtë punë që nisi. Ja një shembull: Lezha, një bashki që PD e fitoi me një betejë mjaft të bujshme në vitin 2015, arriti një rezultat skandaloz për PD-në më 25 qershor, duke e përmbysur rezultatin fitues për opozitën në 2013-n.
Pse ndodhi kjo? Sepse PS u investua në Mirditë, bashki që e kontrollon ajo dhe shtoi votat duke vënë Lindita Nikollën një mirditore si kryesuese liste.
Mikroklimë ka kudo në çdo qark, ku PD i llogariti gabim, si për shembull rezultati i dobët i Durrësit, i Elbasanit apo i Korçës.
Por në fund duhet llogaritur se ndërsa kishim 400 “krerë principatash”, tani kemi 61 “princër” bashkish që janë realisht faktori determinant i zgjedhjeve parlamentare.
Durrësi është shembull ku Dako dhe Bushi i Krujës i siguruan PS-së fitoren. Edhe Basha e dinte këtë, ndaj i ka sulmuar vazhdimisht për të arritur eleminimin e tyre siç bëri me Elvis Rroshin.
Ama “një herë bie daci në kos”… /tesheshi.com/