Nga Gjon Neçaj
Rrugës për në Valbonë, pak pa mbërritur në Fushën e Gjësë, majtas, në vendin e quajtur Quku i Dunishës, ndodhet një bujtinë (han). Sapo arrin në mjedisin e rregulluar hijshëm, të del përpara një nuse e re, e bukur, e veshur thjesht dhe buzëgaz dhe të uron mirëseardhjen me një shqipe gegërishte.
Po kush është në të vërtetë ajo?
Quhet Katerina Bohen (Catherine Bohne), një nuse amerikane që ka lidhur jetën me këto bjeshkë prej vitesh dhe me një djalë nga këto anë, Alfred Selimajn.
Katerina, pasi kishte përfunduar studimet e larta për biologji, kishte hapur një librari, por pasioni i saj ishte udhëtimi. Ja ç’thotë ajo:
“Kur isha 11 vjeçe udhëtoja në një barkë bashkë me nënën dhe babanë tim. Ishim për pushime verore në Kroaci. Duke kaluar brigjeve të detit Adriatik, hasa në peisazhe misterioze. E pyeta babanë se cili ishte ai vend dhe m’u përgjigj: “Kjo është Shqipëria, Katerinë. Askush nuk mund të shkojë atje”.
Tridhjetë e ca vite pas tregimit të babait tim për Shqipërinë, mora guximin për të vizituar vendin misterioz, Shqipërinë. Dhe menjëherë rashë në dashuri me një vend të ri dhe me një djalë të ri. Vendi është Shqipëri dhe Alfred është emri i njeriut…”
Katerina jetonte në Bruklin, nga është origjina e saj, kurse e ëma e kishte prejardhjen nga Kroacia. Pasioni i saj ka qenë gjithmonë të eksplorojë vende të ndryshme dhe ka qenë përherë në lëvizje: në Itali, Kroaci, Greqi, Zvicër, Kurdistan etj. Kjo ishte arsyeja që nisi udhëtimin në Shqipërinë Veriore, duke u mësuar me gjëra të vështira dhe duke i pëlqyer aventurat. E pikërisht në Valbonë u njoh me pronarin e një bujtine, me djalin e këtyre anëve, i cili sapo ishte kthyer nga emigracioni ku kishte qëndruar me vite, e tashmë në vendlindjen e tij me kursimet në Angli kishte nisur këtë aktivitet privat.
Katerina kujton takimin me Alfredin kur ajo po udhëtonte në një autobus të vogël për në Valbonë. “Kur arritëm në Valbonë, iu prezantova, kujton ajo. Ai ishte i gjatë, si një princ. Fliste mirë anglisht (pas katër vitesh në Angli duke punuar në një fabrikë makinash gjermane), dhe komunikuam normalisht”. Kështu u dashuran dhe ajo vendosi të jetojë përgjithnjë në Valbonë.
Tashmë nusja amerikane është ambientuar me prindërit e Alfredit dhe me banorët. Flet me shumë respekt për nënë Sosen, për njerëzit në Valbonë dhe i quan të mrekullueshëm. “Bujaria e mirësia e tyre është pa kufi”, thotë Katerina.
Përveç punës që kryen në bujtinë duke u shërbyer turistëve të shumtë çdo stinë të vitit, ajo afron nëpërmjet faqes së saj në internet turistë brenda dhe jashtë vendit, duke promovuar vlerat e turizmit malor. Tani ka filluar të mësojë gjuhën shqipe, gatuan ushqime tradicionale të zonës, lexon libra dhe ka ndërmend të krijojë një minifermë kafshësh të egra, duke i zbutur.
Madje këtë verë pati një aksident, duke u kafshuar nga një ari teksa shëtiste bjeshkëve. Pati një kafshim të lehtë në krah dhe qëndroi disa ditë për kurim në spitalin e Bajram Currit. Ndonëse me pak pasoja, ajo vazhdon të merret me to, krahas punëve të tjera të biznesit, përkrah Alfredit.
Katerina tashmë është bërë sinonim i banorëve të Valbonës dhe zor se dallohet nga të tjerët: flet shqip, vishet si ata, kryen të gjitha punët e shtëpisë dhe eksploron çdo bjeshkë të Alpeve.
Rrallë, tepër rrallë e sheh në qytet. Veç jeton atje, në brendësi të bjeshkëve, tashmë të bardha, me njeriun e saj të zemrës, princin e bukur, Alfredin; por dhe mes “Katerinave” të Rragamit të Shalës të besimit katolik, e mes Zadeve të Valbonës të besimit musliman. /tesheshi.com/