Ambasada e SHBA-ve në kryeqytetin e Irakut, në Bagdad, ka paralajmëruar për një shembje të mundshme të Digës së Mosulit.
Në një njoftim të dhënë prej saj thuhet se rreziku i shembjes së digës është “serioz dhe i paprecedent”, e nëse ndodh kjo, mund t’u marrë jetë rreth një milion e gjysmë irakianëve që jetojnë përgjatë lumit Tigër.
Kryeministri i Irakut, Hajdar Abadi, po ashtu, ndonëse e ka quajtur skenarin e shembjes së digës tejet të pamundur, u ka kërkuar banorëve të Mosulit të lëvizin më së paku gjashtë kilometra larg brigjeve të lumit Tigër.
Diga e Mosulit ka patur defekte strukturore që me përfundimin në vitin 1984. Puna për mirëmbajtjen e saj u ndërpre për pak kohë në vitin 2014, kur militantët e ISIS-it e zaptuan atë.
Ata qenë në gjendje ta mbanin vetëm 11 ditë, por shumë prej njerëzve që punonin në digë nuk u kthyen më, e puna për mirëmbajtjen e rregullt nuk rinisi.
Në rast të çarjes së digës, uji mund të shkojë gjer në Bagdad, duke përmbytur dhe aeroportin ndërkombëtar.
Riparimi i digës do të kërkojë 18 muaj kohë, dhe për mbrojtjen e saj do të dislokohen 450 trupa italiane. /tesheshi.com/