Ambasadori i Britanisë, Ruairi O’Connell vazhdon të jetë ndër diplomatët e huaj më të zëshëm në Kosovë që kërkojnë luftimin e korrupsionit, sidomos atij të nivelit të lartë.
Se rezultatet në luftimin e korrupsionit mungojnë dhe se dënimet për personat e profilit të lartë janë simbolike, O’ Connell e tha edhe sot në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ku u diskutua për performancën dhe rezultatet e institucioneve të drejtësisë në luftimin e korrupsionit “Luftë, persekutim apo amnisti në emër të luftës kundër korrupsionit? – Zgjidhja/Vetingu?”.
“Korrupsioni nuk është dukuri vetëm në Kosovë. Kosovarët nuk janë më të korruptuar se sa të tjerët. Kosovarët janë njerëz të ndershëm dhe të sinqertë, por luftimi i korrupsionit është problem global. Ne kemi nevojë që të kemi Kosovën partner dhe si miq dhe oartnet kemi të drejt të pyesim ku janë rezultatet. Rezultatet mungojnë nuk ka asnjë person të profilit të lartë të dënuar me dënim të lartë për shkak të korrupsionit. Këtë vit prej tre rasteve dy kanë dështuar ku po mbetet llogaridhënia. Kosova ka nevojë ka nevojë të ketë gjyqtarë dhe prokuror të pastër meritor”, thotë ai.
Gjatë kësaj tryeze u prezantua edhe raporti i monitorimit sistematik të rasteve të korrupsionit në sistemin prokurorial dhe gjyqësor, i cili përmban gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet konkrete se si të shtohet efikasiteti dhe efektiviteti i këtyre sistemeve në trajtimin e rasteve të korrupsionit.
Betim Musliu nga ky Institut, tha se profili i rasteve të korrupsionit që ndiqen në Kosovë, është profil i ulët dhe rrallë herë i profilit të lartë. /tesheshi.com/