Deputeti socialist Alfred Peza, ka reaguar ndaj një vendimi dhe njoftimi të Prokurorisë mbi sekuestrimin e një pasurie në formë aksionesh.
Peza deklaroi për gazetarët se Prokuroria nuk ka asnjë provë për hetimet dhe se po hetohet paga e tij si gazetar dhe jo si deputet.
Peza shprehet se pas marrjes së mandatit të deputetit, pasuria e tij nuk është rritur.
“Është provuar katërçipërisht se ka zero shtim të pasurisë time përveç rrogës së deputetit nga momenti i shpalljes së kandidaturës time deri më sot. Kemi të bëjmë me një fakt të pa kundërshtueshëm. Unë po hetohem si gazetar dhe jo si deputet. Kjo do të thotë se Prokuroria e Përgjithshme nuk ka asnjë problem me politikanin dhe deputetin Alfred Peza. Organi i hetimit është duke hetuar se si e ka vënë pasurinë një gazetar. Kjo është e paprecedentë.
Këtë që po hetojnë sot mund të ishin hetuar fare mirë që në dhjetorin e vitit 2012. Në një vend si Shqipëria, ku rëndom flitet dhe pranohet për persona që prej vitesh ushtrojnë aktivitet publik dhe që zotërojnë pasuri disa herë më të mëdha se unë, prokuroria gjen arsye dhe kohë mbi pasurinë e vënë nga unë, që asnjë ditë të vetme nuk ka pasur post publik dhe nuk ka fituar asnjë tender publik.
Ju takon atyre ta provojnë se për çfarë më akuzojnë. Fakti që kam një pasuri prej x lekësh nuk është provë. Një fakt i pretenduar nga Prokuroria në lidhje me diferencën e apartamentit të blerë prej 15 vjetësh, është ligjërisht i verifikueshëm”, tha Peza.
Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, Gjykata për Krime të Rënda ka vendosur sekuestro preventive ndaj aksioneve, në masën 1 %, me vlerë rreth 113 milionë lekë të reja, të regjistruara në emër të shtetases Mirela Ndini, bashkëshorte e deputetit Alfred Peza, në bankën “Credins” sh.a, në kuadër të hetimit të nisur ndaj tyre nga Prokuroria e Përgjithshme për veprat penale:
“Fshehje e të ardhurave”, parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal;
“Pastrimi të produkteve të veprës penale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal;
“Refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”, parashikuar nga 257/a të Kodit Penal. /tesheshi.com/