Aleanca për Teatrin vendos të kalojë direkt në aksion politik, duke u bërë njësh me opozitën në gjuhë e synime.
Në një deklaratë të fundit, ajo shkon deri të qëndrimet mbi ndryshimet kushtetuese të 2008-ës, për të mbërritur te kërkesa për dorëheqjen e Ramës dhe qeveri teknike.
Ndër të tjera, ajo dhe Reformën në Drejtësi e shpall si dështim.
“Me amendamentet e vitit 2016, Shqipëria u bë një regjim hibrid, i njohur si i tillë edhe nga organizatat ndërkombëtare. Vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese e as Gjykatë të Lartë, dhe tani po rrezikohet të mbetet edhe pa gjykata apeli. Reforma në drejtësi, pavarësisht qëllimeve e motiveve me të cilat nisi, është sot një dështim total! Ajo jo vetëm nuk ka fuqizuar qytetarët, por ka hequr çdo kontroll ndaj abuzimeve të Kryeministrit. Prej dy vjetësh AMT denoncon shkeljet ligjore në lidhje me çështjen e Teatrit dhe nga Prokuroria nuk ka asnjë veprim konkret për hetimin e tyre.
Në këto kushte, AMT u bën thirrje të gjitha grupimeve të shoqërisë civile, të bashkohen për krijimin e një koalicioni qytetar kundër diktaturës. Asnjë kauzë qytetare nuk mund të fitohet më pa rrëzuar diktaturën, pa rikthyer standardet kushtetuese dhe normalitetin e institucioneve. Ftojmë të gjitha grupimet dhe individët, të lenë mënjanë divergjencat e pakënaqësitë ndaj njëri-tjetrit dhe të shtyjnë çdo debat ideologjik për një kohë tjetër, kur të jenë krijuar kushtet për konkurrencë të ndershme idesh.
Për sa më lart, ne angazhohemi në veprime konkrete, demokratike, që synojnë:
- Rrëzimin e Qeverisë diktatoriale të Edi Ramës;
2. Ndryshimin e sistemit zgjedhor para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, duke rikthyer te qytetarët të drejtën për zgjedhjen e deputetëve të tyre;
3. Shfuqizimin e të gjitha amendamenteve të Kushtetutës të kryera pas vitit 1998;
4. Hartimin e një kushtetute të re, të mbështetur në parimet e demokracisë direkte.
AMT do të bashkëpunojë me çdo grupim qytetar dhe individ për rrëzimin e diktaturës dhe ringritjen e demokracisë në vend.
Poshtë Diktatura!
Rroftë Shqipëria!”, përfundon deklarata e Aleancës për Teatrin. /tesheshi.com/