Edhe pse avokatët kanë pritur sigurt lirimin nga paraburgimi të Albin Kurtit e Donika Kada-Bujupit kjo nuk ka ndodhur. Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që të akuzuarve në fjalë t’i vazhdohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, respektivisht deri më datën 27 janar 2018.
Në këtë aktvendim thuhet se ankesa këtij vendimi nuk e ndalon ekzekutimin e aktvendimit.
Ndaj vazhdimit të paraburgimit ka reaguar Vetëvendosje e cila thotë se vendimi i marrë nga gjyqtari Beqir Kalludra është jo vetëm i pabazë, por edhe i ngritur mbi mashtrimin.
“Ditën e djeshme, gjyqtari Beqir Kalludra ka zgjatur sërish afatin e mbajtjes në paraburgim për deputetët Albin Kurti dhe Donika Kadaj deri në datën 27 janar 2017. Gjyqtari Kalludra është kthyer tashmë në personin kyç të sistemit të kapur të drejtësisë që regjimi në Kosovë ka vendosur në përndjekje të aktivistëve dhe deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ky vendim i radhës i gjyqtarit Kalludra sërish është jo vetëm i pabazë por edhe i ngritur mbi mashtrimin”.
“Në vendimin e djeshëm për ta zgjatur afatin e paraburgimit për dy deputetët, Gjyqtari Kalludra ka mashtruar duke thënë se Albin Kurti dhe Donika Kadaj ‘nuk janë hasur asnjëherë në vendbanimet apo vendqëndrimet e tyre’ dhe se ‘të njëjtit janë fshehur’ për t’iu shmangur organeve. I kujtojmë gjyqtarit Kalludra dhe mbarë opinionit publik se dy deputetët jo vetëm janë gjetur në shtëpitë e tyre në vizitat që policia ka bërë në vendbanimet e dy deputetëve, por për më tepër edhe janë arrestuar duke ushtruar detyrën e tyre si përfaqësues të popullit. Përkatësisht, Albin Kurti është arrestuar nga Policia e Kosovës para Kuvendit të Republikës së Kosovës duke vajtur për të marrë pjesë në seancë plenare”, thuhet në reagimin e VV-së.
Vetëvendosje bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të deputetëve të saj nga paraburgimi dhe kërkon ndaljen siç thonë të këtij persekutimi politik. /tesheshi.com/