Dy shqiptarë dhe një grek humbën jetën si pasojë e një aksidenti të ndodhur në Selanik, ndërkohë një tjetër shtetase, 18 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Mediat greke kanë sqaruar skemën e aksidentit të rëndë me tre të vdekur dhe një të plagosur rëndë. Në përplasje janë përfshirë dy motorë dhe një makinë e drejtuar nga një shtetas gjerman.
Në njërin motor me kubik të madh, udhëtonin babë e bir shqiptarë, 51 dhe 28 vjeç, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur. Ndërkohë në motorin tjetër udhëtonin një çift i ri, një 22-vjeçar grek dhe një vajzë 18 vjeç.
I riu grek ndërroi jetë si pasojë e goditjes që i erdhi nga një makinë e drejtuar nga një shtetas gjerman, 67-vjeçar, që sipas hetimeve paraprake dyshohet, që një gabim nga ana e tij të jetë bërë shkak për aksidentin tragjik.
Adoleshentja 18-vjeçare i është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale dhe ndodhet në gjendje të rëndë me dëmtime në kokë e gjymtyrë, por mjekët thonë se nuk i janë prekur organet vitale.
Ndërkohë, edhe 67-vjeçari gjerman ndodhet në spital në gjendje shoku, por jashtë rrezikut. Sipas dëshmive në vendngjarje ai ka qenë i ndërgjegjshëm pas aksidentit dhe ka mundur edhe të flasë me policët. /tesheshi.com/