Rritja e nivelit të punësimit dhe investimet e huaja janë sfidat e mandatit qeverisës. Kështu u shpreh ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, në një konferencë për mediat.
Sipas tij, Shqipëria tërheq 25 % të investimeve të huaja që bëhen në rajon dhe në këtë drejtim dhe se sfidën kryesore e ka me Serbinë. “Është koha të fokusohemi tek investimet për shërbimet prodhuese, për turizmin, etj”, ka vijuar Ahmetaj.
Ahmetaj tha se ekonomia po i afrohet potencialit të saj , ndërsa shpjegoi vizionin e qeverisë për dy elementë të rinj të politikës fiskale për vitin 2018, shtrirjen e TVSH-së tek biznesi i vogël dhe kadastrën fiskale.
“Rritja ekonomike në 6 mujorin e parë të këtij viti llogaritet 4.06 % që shkon përtej parashikimit tone, por edhe të atij të institucioneve financiare ndërkombëtare. Tremujori i 3 i këtij viti është i 7-i që kemi rritje pozitive të konsumit final të popullatës. Sipas INSTAT-it, konsumi u rrit me 2.5 % . Inflacioni i fundvitit do të jetë brenda pritshmërisë që ka BSH-ja dhe INSTAT. Pjesëmarrja e forcave të punës ka një rritje me serioze se sa rënia e papunësisë. Investimet e huaja në fund të vitit pritet të shkojnë përtej 1 miliard dollarëve, ndërsa sa i takon borxhit publik përtej debatit politik duhet të pranojmë se ky është viti i dytë me balancë primare pozitive”, deklaroi Ahmetaj.
Ndërsa lidhur me politikën e qeverisë për përfshirjen e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së, ministri Ahmetaj siguroi se kjo masë nuk do të rrisë çmimet për qytetarin dhe as koston për biznesin dhe se ka disa praktika të shtrirjes së saj. Po ashtu, Ahmetaj tha se është menduar përjashtimi i zejtarëve nga kjo skemë si dhe tregjet formale të bashkive të trajtohen ndryshe.
“Nëse instrumenti i TVSH-së në mënyrë direkte është transmetuar nga i madhi tek i vogli nuk ka rritje të kostos. Në një biznes informal i cili mund të ketë jetuar për shkak të mos pagimit të taksës do të detyrohet të axhustojë taksën. Ka sipërmarrje që deklarohen nën 5 milion por janë 2-3 herë më të mëdha . Ky është deformim në dëm ndaj qytetarëve drejtpërdrejtë dhe nuk mund të tërheqësh investimet nëse vijon të kesh këto lloj deformimi. Ka praktika të ndryshme të shtrirjes së TVSH-së. Ne si qeveri kemi për detyrë të ofrojmë lehtësi, siguri e garanci, por kemi detyrë të marrim atë që i takon buxhetit të shtetit”, tha Ahmetaj.
Ndërsa sa i takon taksës së pronës, ministri Ahmetaj tha se tashmë ministria ka të detajuar draftin dhe nuk do të ketë nivel të diferencuar për shtëpinë e dytë. “Do të shkohet nga taksa fikse në nivelin e vlerës reale të shtëpisë. Në 1 janar do të fillojë dhe në më më pak se dy vite do të kemi një kadastër solide fiskale në favor të vërtetësisë së pronës, por edhe në favor të pushtetit vendor”, tha Ahmetaj.
Ministri foli edhe për marrëdhënien e re me Fondin Monetar Ndërkombëtar pas mbylljes së marrëveshjes trevjeçare.
“Marrëdhënia me FMN-në është e pandërprerë. Kemi ecur në kosonlidimin fiskal, kemi ecur po ashtu me bilancin e pagesave dhe nuk ka nevojë për një marrëveshje ‘stand by’”, tha ai.
Një tjetër pikë ku është ndaluar ministri ishin kreditë e këqija, për të cilat tha se në korrik 2017 është regjistruar niveli më i ulët i tyre, rreth 15.8 %, ose 10 % më pak se koha kur PS mori pushtetin.
Gjithashtu, tha ai kemi rritje të eksporteve me 12.9 % “Interesante janë eksportet që rriten në mënyrë konstante, pa përfshirë mineralet dhe energjinë. Sfida jonë tani është zgjerimi i gamës së eksporteve”, tha Ahmetaj. /tesheshi.com/