Kosova nuk ka vetëm “teatrin politik”, atë që shfaqet në parlament apo në rrugë; por ka dhe atë realin, atë që të fisnikëron e nuk t’i qet mendtë siç i politikës. Dhe për paradoks, në Prishtinë, të dy teatrot, edhe fizikisht janë sa afër aq dhe larg.
Që nga pas lufta, Teatri Kombëtar i Kosovës është ballafaquar me shumë probleme, që nga përzgjedhja e drejtorëve, buxheti i vogël, mungesa e dramave me autorë vendorë, mungesa elitare etj.
Por Agim Sopi, regjisor me emër, ka vendosur që të sakrifikojë pak nga karriera e tij produktive për ta sjellë teatrin në shina duke u pozicionuar si menaxher, drejtori i tij.
Në një intervistë për tesheshi.com, Sopi flet për atë ç’ka ka hasur në këtë institucion nga e kaluara e afërt – në disa raste dhe nga ajo e largët, periudhës millosheviçiane – e për vizionin se ku do ta çojë të nesërmen.
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Sopi ju ishit mjaft i angazhuar si regjisor filmash, madje disa prej tyre arritën sukses të madh. Çfarë ju shtyri që të sakrifikoni karrierën tuaj prej regjisori dhe të pranoni një post të menaxherit?
T’ju them të drejtën, do të tingëllojë shumë pretencioze, por është një realitet i pakapërcyeshëm me të cilin po ndeshemi çdo ditë. Shoqëria kosovare gjendet në udhëkryqin më të rrezikshëm të historisë, prej nga do ta marr një udhë: ta bëjë apo ta zhbëjë shtetin e Kosovës. Karshi kësaj dileme fatale na ka sjell klasa jonë e papërgjegjshme politike. Dhe tani është obligim moral, human, jetësor kisha me thënë, obligim i secilit prej nesh që të përpiqet ta vejë një gurë në themelin e shtetit të brishtë të Kosovës. Institucionet tona të kohës së autonomisë, por edhe ato të krijuara rishtas, fatkeqësisht që nga përfundimi i luftës e deri më sot, kanë funksionuar me një logjikë inrecioni të zbraztësisë, formalitetit. Djallëzia politike e regjimit të Millosheviqit, gjatë viteve 1990 -1999, nuk i kishte mbyllur institucionet, por i kishte zhveshur nga përmbajtja.
Aso kohe, ato funksiononin formalisht. Për fatin tone të keq, edhe pas luftës vazhduan me njëfarëlloj inercioni, të funksionojnë formalisht, me logjikën e ujkut të stepeve. E dini, në stepe vriten ujqërit duke u lyer tehet e thikave me gjak. Ata fillojnë të lëpijnë gjakun e huaj duke mos e diktuar se po e presin gjuhën dhe po fillojnë të lëpijnë gjakun e vet dhe kështu vetëvriten. Thënë shkurt, unë e lash përkohësisht punën time prej artisti dhe vendosa të bëhem menaxher me qëllim të shpëtimit të një institucioni që çdoherë ishte pjesë elitare e identitetit shpirtëror të këtij vendi. Mbas luftës, ky institucion i quajtur Teatër Kombëtar, degradoi dhe u shndërrua në një servis estrade nëpër të cilin defilonin të gjithë me përjashtim të artistëve të teatrit. Pra intenca ime është e thjeshtë: të përpiqem t’ua rikthej teatrin artistëve të teatrit; t’i rikthejmë TKK-së dinjitetin, përmbajtjen, vlerën dhe identitetin.
Cilat probleme i keni hasur me të marrë drejtimin e TK-së?
Problemi më i madh i TKK-së ka qenë mungesa e vullnetit për të krijuar një teatër elitar të repertorit, ashtu siç janë teatrot kombëtare të gjithë botës. Pra, fillimisht duhet të ndryshojë logjika përmbajtësore, hartimi i repertorit i cili deri tashti është sajuar ad-hoc sipas propozimeve të regjisorëve apo grupeve të interesit, pa ndonjë qëllim, pa ndonjë përzgjedhje logjike e estetike, pa identitet. Pastaj, një problem tjetër i madh në TKK-së është mungesa e legjislacionit sekondar sipas të cilit funksionon çdo institucion. Si duket, në Kosovë është bërë modë që të sillen ligjet për t’u shkelur apo për të mos u zbatuar.
Pra edhe në TKK, asgjë nuk ka funksionuar sipas ligjit, por sipas vullnetit të individëve. Unë kam logjikë konstitucionaliste dhe kjo praktikë e deritashme në TKK duhet të ndryshojë. Problem i tretë i natyrës kruciale është logjika e punës sipas parimit “unë shtirem kinse të paguaj, e ti shtiru kinse po punon”. Edhe kjo logjikë e mbrapshtë duhet të ndryshojë. Artistët dhe punëtorët e TKK-së duhet të stimulohen në punën e tyre të nëpërkëmbur deri më tash, duhet gjetur mënyra që ata të paguhen dhe të jetojnë dinjitetshëm nga puna e tyre, por duhet edhe të marrin përgjegjësitë karshi punës që e bëjnë.
Teatri është vend ku promovohet arti dhe kultura e një vendi. Por që nga përfundimi i luftës ky institucion asnjëherë nuk gjeti rehatinë në emërimin e drejtorëve. Ku qëndron problemi sipas jush apo edhe këtu ka gisht politika?
Po, po. Ne jemi një shoqëri e dalë nga tranzicioni ideologjik, nga sistemi komunist, dhe nga një luftë e tmerrshme. Pra, një shoqëri me trauma. Një shoqëri e cila sado që deklarohet se është demokratike diku në ndërdije udhëhiqet nga idetë e shokut Stalin e shokut Tito. Pra, klasa jonë politike ose është pasardhëse e sistemit komunist ose ka dalë nga radhët e luftës. Që të dy palët janë udhëhequr me logjikën e diktatit, me logjikën e “njerëzve tanë”, lakejve dhe çanaklëpirësve politikë. Instalimi i këtyre strukturave nëpër institucione dhe anashkalimi i profesionistëve, ka rezultuar pavetëdijshëm në formalizmin e institucioneve, apo thënë më vrazhdë, vazhdimin e politikës së Millosheviqit për institucionet jo-funksionale dhe pa përmbajtje.
Cilat janë prioritetet tuaja në menaxhimin e këtij institucioni?
Prioriteteti ynë primar mbështetet në sajimin e një repertori të verifikuar (ku hapësirë primare do të ketë drama origjinale) dhe në angazhimin e regjisorëve më të mirë të cilët do të krijojnë shfaqje cilësore. Pastaj vijnë të tjerat…
Ju keni premtuar që do ia ktheni fizionominë, identitetin TK-së, po ashtu edhe seriozitetin dhe profesionalizmin. Sa është e mundur kjo që të arrihet?
Këtë e ripërsërita edhe më lartë. Unë e kam lënë punën time për ta rinovuar “shtëpinë time të rinisë”, teatrin në të cilin unë u rrita. Koha e quajtur “periudhë e artë”, më saktë vitet e nëntëdhjeta, pjesë e së cilës kam qenë edhe unë, është krijuar pikërisht mbi parimet e profesionalizmit, mbi logjikën që ka sjellë brezi i artistëve shqiptarë të arsimuar nëpër universitetet evropiane dhe ato të ex-Jugosllavisë perëndimore.
Ne si brezi i parë profesionist, asokohe patëm sjellë frymën e teatrove të mëdha të Evropës, në veçanti frymën e teatrit gjerman dhe atij polak, teatro të cilat sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë më të mirat në Evropë. Dhe për ta thjeshtësuar muhabetin, fshehtësia e këtij lloj teatri që imponohet si vlerë, qëndron në veçoritë artistike, në identitetin autokton të kulturave respektabile. Është një udhë e trasuar qysh nga antikiteti. Dhe është tepër lehtë të gjendet në gjeografinë kulturore poqëse keni vullnet ta gjeni. Me fjalë tjera, s’keni nevojë ta zbuloni ujin e ngrohtë, por ta pranoni se uji i ngrohtë ekziston dhe ju e njihni si të tillë.
Sa jeni të kënaqur me ndarjen e buxhetit dhe a mendoni që me këtë buxhet do të mund t’i realizoni projektet e tuaja?
Unë e kam trashëguar një buxhet i cili është ndarë mbështetur në një projekt fiktiv. Tani projekti i TKK-së për vitin kalendarik 2016 është hartuar e aprovuar dhe ka filluar të realizohet. Është një projekt që kapërcen limitet buxhetore, por të cilin do të gjejmë mënyra për ta realizuar pa e cenuar cilësinë. E dini si: suksesi i teatrit nuk lidhet ngushtë me buxhetin. Mund të bëhet teatër i mirë edhe me pak para, po edhe me shumë para. Madje, teatri më i mirë i shekullit njëzetë, ka qenë një teatër i varfër, ‘Teater Laboratory’ i Jerzy Grotoëskit, një teatër i krijuar në një hapësirë prej 120 metrash katrore, pa dekor, pa drita, pa kostume, me pak tekst, por me shumë dije, invencë, me shumë shpirt.
Për logjikën time, paratë nuk janë gjithçka për të krijuar teatër cilësor, por parat janë të domosdoshme për të paguar njerëz, para së gjithash artistët, që e krijojnë teatrin. Derisa nuk do të krijojmë parakushte që artisti të jetoj dinjitetshëm nga puna që e bënë, vështirë se mund të llogarisim në punë kualitative artistike. Në gjithë vendet e Evropës, paga e artistit kryesor të Teatrit Kombëtar është e barzvlefshme, e ndonjëherë edhe më e madhe se e kryeministrit. Edhe nën ish-Jugosllavi, në kohën e autonomisë, paga e Istref Begollit ka qenë e barazvlefshme me atë të Azem Vllasit, por tashti ky raport është dhjetëfish diferencë në favor të qeveritarëve. Artistët elitarë të Kosovës, trajtohen si “shërbyes civil”, si administratorë, pastrues, rojtarë. Kjo praktikë është e papranueshme dhe kjo lloj përbuzje e shpërfillje karshi artistëve duhet ë ndryshojë.
Sopi, a mund të na tregoni se sa shfaqje realizohen në vit dhe a ka rritje të shikueshmërisë?
Teatri Kombëtar i Kosovës, mbështetur në Ligjin për Teatrin, realizon të paktën 5 premiera në vit. Për vitin kalendarik 2016, ne kemi planifikuar pesë premiera në skenën e madhe, kryesisht me tekste të dramaturgjisë kombëtare, dhe katër të tjera në skenën e vogël. Mund të konstatoj me shumë kënaqësi se publiku po rikthehet në teatër. Kemi një rritje të pakrahasueshme me vitet tjera dhe ky fenomen më gëzon pa masë. Ajo që na mbetet neve si TKK, është krijimi i shfaqjeve cilësore që të mos e zhgënjejmë këtë publik, i cili shpresoj se do të rritet edhe më, si dhe krijimi i repertorit stabël, shfaqjeve të përnatshme në TKK.
Çfarë do të bëni me aktorët “dembelë” kur kemi parasysh që një numër të konsiderueshëm i tyre rrallëherë i shohim të ngjiten në skenën e TK-së?
Ne në ansamblin rezident kemi gjithsej 22 aktorë. Tepër pak. Mbështetur në Ligjin për Teatrin, ansambli rezident i TKK-së duhet t’i ketë të paktën 30 aktorë, kurse në kohën e autonomisë, teatri ka pasur mbi 50 aktorë. Përshtypja se aktorët e TKK-së janë dembelë është krijuar nga logjika e deritashme e perceptimit të TKK-së si tezgë grupacionesh e klanesh. Pra, regjisorët që kanë ardhur për të bërë shfaqje në TKK, kanë sjellë me vete edhe grupin e shokëve duke anashkaluar aktorët e ansamblit. Kjo praktikë, tash e tutje do të ndryshojë.
Shumica e shfaqjeve që vihen në skenën e TK-së janë të autorëve të huaj. Po ju a keni zhvilluar një koncept që do t’u jepte hapësirë edhe dramave të autorëve tanë?
Ka qenë kështu si e thoni ju, por unë e thash paraprakisht, se tashti gjërat kanë ndryshuar. Nga pesë premiera që do t’i realizojmë këtë vit në skenën e madhe, katër nga ato do të jenë sipas teksteve të autorëve shqiptarë: “Grafitet” – Mehmet Kraja; “Përtej kufijve të pushtetit” – Albri Brahusha; “Eshtrat që vijnë vonë” – Teki Dervishi; “Pasardhësi” – Ismail Kadare.
Duke e patur parasysh vëllimin e punën tuaja prej administratori të Teatrit Kombëtar, a do të jetë e mundur që të shohim një shfaqje tuajën pasi që ligji nuk ju ndalon një gjë të tillë?
Ligji nuk ma ndalon, por është e pamoralshme që unë si drejtor të angazhoj vetveten për të bërë shfaqje në institucionin që e drejtoj. Me siguri se mua diçka e tillë s’do të më ndodhë.
Të kthehemi pak profesionit tuaj: ju jeni regjisor keni realizuar filma, dramë televizive, shfaqje teatrale. Sa është e vështirë të jesh regjisor në Kosovë dhe sa ka përkrahje nga institucionet e vendit?
Eh, të jesh artist, kudo në botë, nuk është privilegj, por është dhe mallkim. Artisti frymon dhe jeton me dhembjen e të tjerëve, një lloj oponence permanente e çfarëdolloj kufizimeve, përherë me vizionin alternativ për një botë më të mirë. Kur e them këtë, nuk mendoj se arti do ta ndryshojë botën, por arti mund t’i ndryshoj njerëzit të cilët kanë mundësi ta ndryshojnë botën. Me njëfarë mënyre, artistët janë një lloj martirësh të para destinuar. Në një vend si Kosova, që ka njëmijë halle më parësore, vështirë se gjendet strehë mirëkuptimi për artistin. Ajo që bëjnë artistët realë të Kosovës – nuk e kam fjalën për estradën dhe të vetë thirrurit artistë – është një punë sizifiane, një lloj përpjekje që të mbërrini në majë dhe një lloj rrokullisje e përhershme, apo thënë ndryshe, njëlloj shtyrje e bjeshkës me gjoks. /tesheshi.com/