Qeveria e Guinesë ka revokuar licencat e operimit të 46 kompanive minerare, konfirmoi një burim qeveritar për Reuters të enjten, ndërsa një burim tjetër tha se numri mund të arrijë në 53. Analistët besojnë se ky veprim mund të jetë një paralajmërim për lojtarët më të mëdhenj në sektorin e minierave të prodhuesit të dytë më të madh të boksitit në botë.
Vendimi vjen ndërsa nacionalizimi i burimeve po rritet në Guine, e cila drejtohet nga një qeveri ushtarake, si dhe në të gjithë Nigerin, Malin dhe Burkina Fason – vende që kanë shtrënguar kontrollin mbi pasurinë e tyre minerale pas grushteve të shtetit ushtarak që nga viti 2020.
Licencat e revokuara lidhen me shfrytëzimin e boksitit, arit, diamanteve dhe grafitit, por burime të industrisë pohojnë se asnjë nga kompanitë e prekura nuk është ndër prodhuesit e rëndësishëm në sektorin e minierave të Guinesë, i cili dominohet nga kompani të mëdha ndërkombëtare.
“Bëhet fjalë vetëm për leje më të vogla dhe të pashfrytëzuara sa duhet”, tha një analist i njohur me situatën, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së temës. “Ndikimi në treg duhet të jetë i papërfillshëm.”
Guinea ka rezervat më të mëdha në botë të boksitit – një xeheror që përdoret për të prodhuar aluminin – dhe është gjithashtu një burim i rëndësishëm i arit dhe xeherorit të hekurit.
Qeveria nuk komentoi menjëherë mbi arsyet specifike të tërheqjes së lejeve, as mbi mundësinë e zbatimit të masave të ngjashme në projekte më të mëdha minerare në të ardhmen.
“Kemi kohë që punojmë për rregullimin e regjistrave të tokës. Mund të thuhet se ky veprim bie brenda atij kuadri”, tha një burim tjetër nga Ministria e Minierave.
Sipas një postimi në LinkedIn nga Ministria e Minierave dhe Gjeologjisë e Guinesë, vendi eksportoi rreth 146.4 milionë ton boksit vitin e kaluar. Një analist pohon se prodhuesit më të mëdhenj të boksitit në vend janë në rrugën e duhur për të arritur më shumë se 200 milionë ton këtë vit – një rritje prej 35 për qind nga prodhimi rekord i vitit të kaluar. “Ata prodhues nuk preken nga revokimi i lejeve”, shtoi ai, duke cituar vlerësime nga kompanitë e mëdha.
Edhe pse revokimi i lejeve është në përputhje me rregulloret, “mund të interpretohet gjithashtu si një sinjal për kompanitë minerare se qeveria pret që ato të respektojnë angazhimet e rëna dakord dhe të zhvillojnë projekte”, tha një këshilltar i një firme konsulence pan-afrikane, i cili gjithashtu kërkoi të mbetej anonim. /tesheshi.com/