Nga Blendi GASHI
Jahjaga më 17 dhjetor i adresohet Kuvendit – Është momenti i duhur? / Ja ç’thonë opozita, ish deputetë e analistë
Presidentja, Atifete Jahjaga, përkundër krizës së thellë politike në Kuvendin e Kosovës, ka vendosur të mbajë fjalimin vjetor në parlament më datë 17 dhjetor, ku do t’iu adresohet të zgjedhurve të popullit. Jahjaga ka thënë se do të mbajë fjalimin, pasi e ka obligim kushtetues të cilin edhe do ta përmbushë.
“Ju e dini se edhe në Kushtetutën e vendit parashikohet adresimi nga ana e Presidentit dhe unë do ta përmbush obligimin tim kushtetues dhe do të paraqitem ta mbaj fjalimin tim në kuadër të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Jahjaga, në një intervistë për televizionin publik.
Mirëpo, opozita është kundër që presidentja t’i adresohet Kuvendit dhe paralajmëron se s’do të lejojë mbajtjen e seancave të rregullta.
Nga ana tjetër, ish deputetë dhe analistë thonë se Jahjaga edhe pse është e obliguar të raportojë, do të ishte mirë që paraprakisht të merrte ‘PO’-në e opozitës në mënyrë që të mos shkaktohet pengimi i fjalës dhe të ndodhë ndonjë incident në fjalimin e të parës së shtetit.
Presidentja e njohur me qëndrimet e opozitës
Nënkryetarja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Aida Dërguti, në një konferencë të mbajtur për mediat dy ditë më parë, ka thënë se sa i përket seancës së veçantë ku presidentja do të raportojë para Kuvendit, gjatë takimit që ka pasur me opozitën, liderët opozitar i kanë bërë me dije se janë kundër mbajtjes së një seance të tillë.
“Në këto rrethana liderët e opozitës nuk kanë dakord të mbahet kjo seancë dhe këtë ia kemi thënë presidentes, mirëpo, prapë për detajet dhe veprimet konkrete se si do të vendosim ka kohë deri më 17 dhjetor”, është shprehur Dërguti.
Nënkryetari i AAK-së, Ahmeti Isufi, ka deklaruar për tesheshi.com se ashtu edhe siç është e ditur, opozita nuk do të lejojë mbajtjen e seancave të rregullta të Parlamentit.
“Presidentja ka zhvilluar takim me liderët opozitarë dhe ka marrë qëndrimin e tyre. Opozita së pari është duke u përgatitur për seancën e së hënës pastaj do të konsultohemi se si do të veprojmë edhe për seancën ku parashihet fjalimi i presidentes”, ka deklaruar Isufi, i cili ka shtuar se Jahjaga duhet të kërkojë nga qeveria që të tërheq nënshkrimet nga dy marrëveshjet e dëmshme.
Jahjaga paraprakisht duhet të marrë ‘PO’-në e opozitës
Ish deputetja e AKR-së, Myzejene Selmani, thotë se presidentja është faktor i unitetit dhe nuk është produkt i asnjë partie politike, andaj ajo e ka obligim kushtetues dhe ndaj qytetarëve të vendit të mbajë fjalimin vjetor.
“Për këtë duhet të ketë një marrëveshje paraprake që mos të ketë skena të pahijshme në Kuvend. Nëse insistohet të pengohet fjalimi, atëherë presidentja me mirë do të ishte të mos e mbante fjalimin”, ka deklaruar Selmani, për tesheshi.com
Analisti politik, Islam Krasniqi, po ashtu shpreh mendimin se në parim presidentja duhet ta mbajë fjalimin, pasi përfaqëson unitetin e popullit, por shton se paraprakisht duhet të ketë një marrëveshje me opozitën që të mos e pengojë.
“Nëse opozita vendos që të mos e lejoj presidenten Jahjaga të mbaj fjalimin vjetor, atëherë Jahjaga gjithsesi do të duhej që paraprakisht të mbajë një takim me krerët opozitar në mënyrë që të mos e pengonin raportimin vjetor të saj dhe të lejojnë që ajo të flasë sikurse ndodhi me fjalimet e presidentit të Austrisë dhe Komisionerit Hahn. Nëse nuk pengohet dhe presidentja raporton, do të duhej që në fjalimin vjetor të paraqet si çështje urgjente dialogun mes pozitës dhe opozitës”, ka deklaruar Krasniqi, për tesheshi.com.
Avokati, Arianit Koci, përmes një shkrimi në Facebook ka deklaruar se opozita nuk duhet ta ndalojë fjalimin vjetor të Presidentes.
“Rendi është që, fjalimi vjetor i presidentes Atifete Jahjaga i paralajmëruar për 17 dhjetor në Kuvendin e Kosovës, të mos pengohet nga opozita”, ka shkruar Koci, duke shtuar se një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë për faktin se ajo është e paanshme dhe e pavarur./tesheshi.com/