Nga Blendi Gashi
Nëntë vjet pas shpalljes se pavarësisë, Kosova është ende me shtetësi të pakonsoliduar, të izoluar dhe pa shtrirje të sovranitetin në mbarë vendin.
Para 17 shkurtit të 2008-tës qytetarët ëndërronin një shtet tjetër, ku njëzëri thonin se “do bëhet më mirë” kur të arrijë pavarësia, me shpresën se do ketë një ardhme më të mirë për familjet e tyre.
Por ngecjet në zhvillim ekonomik, varfëria e papunësia e madhe, ende pa arritur një dekadë nga bërja shtet, ka shuar pothuajse shpresën e qytetarëve, ku një numër i vogël i tyre përspektivën tashmë e shohin në vendet perëndimore; ku gjithashtu sundimi i ligjit, krimi i organizuar, korrupsioni, (mos)zhvillimi ekonomik, imazhi i vendit, shtimi i njohjeve, vazhdojnë të jenë çështje problematike.
Opozitarë dhe analistë thonë se Kosova vazhdon të jetë një shtet i pakonsoliduar, dhe pa ndonjë sukses të madh nga shpallja e pavarësisë.
Shkodran Hoti, zyrtar për media në Vetëvendosje thotë se 9 vjet më pas Kosova nuk e gëzon pavarësinë e plotë dhe ende nuk e ka arritur konsolidimin.
“Ende nuk kemi shtrirje të sovranitetit në gjithë vendin dhe në vazhdimësi përballemi me provokime që cenojnë dhe minimizojnë tutje shtetësinë e Kosovës”, thotë Hoti për tesheshi.com.
Ai thotë se edhe pas gati një dekade Mitrovica vazhdon të jetë e ndarë, ndërsa shton se nuk mund të gjejë asnjë sukses gjatë kësaj kohe.
“Gjatë këtyre nëntë viteve, nuk iu është dhënë zgjidhje dy problemeve që mendoj janë kryesore në vend: nuk u arrit as bashkimi i Mitrovicës dhe nuk u zbut as papunësia e varfëria. Pra, edhe pas 9 viteve Mitrovica mbetet e ndarë, madje gjendja sa shkon e përkeqësohet. Kurse, varfëria e papunësia le që nuk janë zbutur, por janë rritur. Është vështirë në nje dekadë shtet të gjejë të paktën një sukses të arritur, të gjejmë së paku një veprim të qeverive që ka ndryshuar për të mirë jetën e qytetarit. Flasim për 9 vite ku në Kosovë ka sunduar një klasë politike e kriminalizuar e antikombëtare, që gjatë gjithë kësaj kohe ka sjellur vetëm koncesione të dëmshme me Serbinë dhe e ka thelluar krizën politike e socio-ekonomike në vend”, thotë Hoti.
Sipas tij qeveria aktuale në krye me PDK-LDK-në e ka të pamundur të bëj konsolidimin e shtetit.
“Ky regjim ka kapur çdo pore të kësaj shoqërie, dhe e vetmja rrugë që Kosova të konsolidohet lidhet me fatin e këtij regjimi, më saktë me shkuarjen apo rrëzimin e tij. Këta e kanë bllokuar shtetin dhe ecuria e tij drejt konsolidimit është e pamundur me ta në krye”, thotë Hoti.
Avni Arifi nga AAK shprehet i pakënaqur me 9 vjetët e pas pavarësisë, për çka thotë se situata në vend është edhe më keq se para shpalljes si shtet i pavarur.
“Pavarësisht një progresi të caktuar Kosova ka probleme serioze në funksionalizim të institucioneve, sundim të ligjit, ekonomi si dhe në anëtarësimin e saj në mekanizma ndërkombëtar”,thotë Arifi, për tesheshi. com.
Kurse si një dështim tejet të madh përmend mosshtrirjen e sovranitetin në veri.
“S’ka arritur fare ta shtrijë sovranitetin në mbarë vendin. Është më keq se sa para Pavarësisë. Në emër të gjenerositetit dhe gjithpërfshirjes qeveria aktuale ka krijuar hapësirë që shteti serb të jetë prezent në Kosovë”, thotë Arifi.
Edhe analisti politik Nexhmendin Spahiu, mendon se ka dështuar të bëhet konsolidimi i shtetit, derisa bën një krahasim me konsolidimin e shtetit shqiptar.
“Krahasuar me konsolidimin e Shqipërisë si shtet Ahmet Zogu këtë e ka arritur për 8 vjet. Më 1920 Shqipëria ishte anarki, më 1928 e bëri mbretëri. Më 2007 Kosova kishte institucione solide të ndërtuara nga UNMIKu ndërsa më 2017 po flasim ende për mundësinë e vendosjes së Gjykatave në veri”, thotë Spahiu për tesheshi.com.
Ai thotë se Kosova ka lindur si shtet parakohshëm.
“Jo në sensin e nevojës për të pasur shtet por në sensin e papjekurisë si komb. Çfarë argumenti më i madh duhet se sa që Presidenti, Kryeministri e shefat e opozitës nuk e dinë se cili është flamuri kombëtar i Kosovës”, shprehet Spahiu. /tesheshi.com/