Nga Miradie Hasani
Projekti për ndërtimin e vijës hekurudhore që lidhë Maqedoninë me Shqipërinë më në fund ka përfunduar. Dokumentacioni i projektit dhe i tenderit është i gatshëm dhe ka kushtuar 7.7 milion euro, para të siguruara nga BE për përpunimin e dokumentacionit të hollësishëm projektues dhe dokumentacionit të tenderit për ndërtimin e linjës së re hekurudhore në gjatësi prej 63 kilometrash.
Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar tha se BE-ja i jep rëndësi këtij projekti me të cilin do të lidhen të dy shtetet përmes hekurudhës.
“Është e qartë pse BE-ja i jep rëndësi projektit të tillë. Unioni tashmë me vite punon në zhvillimin e rrjetit transportues, ndërsa qëllimi është që të ketë rrjet të vetëm me të cilin do të integrohet transporti tokësor, detar dhe ajror. Kjo është kyçe për tërë zhvillimin socio-ekonomik të Evropës dhe paraqet ambicie të fuqishme që BE-ja t’i lidh të gjitha tregjet dhe të gjithë qytetarët. Që të kryhet gjithë ky projekt doemos duhet t’i ndërtojmë pjesët që mungojnë”, u shpreh Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian.
Ndërtimi i hekurudhës drejt Shqipërisë sipas Sugarevskit pritet që të përfundojë deri në vitin 2022. Ajo do të shtrihet në pjesën jugo-perëndimore të Maqedonisë duke kaluar nëpër komunat, Kërçovë, Debarc, Strugë dhe deri tek kufiri me Shqipërinë, dhe do të mundësojë lidhjen e rrjetit nacional hekurudhor me Shqipërinë. Projektin e hartoi konzorciumi i kryesuar nga TIPSA nga Spanja, në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe Ndërmarrjen publike “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura”. Pala shqiptare tashme ka hekurudhë deri në vendbanimin Lin, prandaj mbetet të ndërtohet pjesa që mungon.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski tha se për përfundimin me sukses të këtij projekti është e nevojshme një shumë prej 500 milionë euro, që pa mbështetjen e BE-së do të jetë vështir i realizueshëm.
“Nga pala shqiptare tashme ekziston hekurudhë deri në vendbanimin Lin, prandaj ne na mbetet ta ndërtojmë pjesën që mungon duke vendosur këtë projekt si prioritet I yni. Pasi që bëhet fjalë për ndërtimin e një hekurudhe të re vlerësimet janë se vlera e projektit do të kap shumën rreth 500 milionë euro. Dëshiroj të apeloj miqtë tanë të BE-së dhe euroambasadorin Zhbogar fuqimisht të na mbështesin në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për Maqedoninë por edhe gjithë rajonin “, tha Sugarevski. /tesheshi.com/