Deputetit të NISMA për Kosovën, Milaim Zeka i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, pas arrestimit të tij, gjatë ditës së sotme.
“M.Z është ndaluar për 48 orë për veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal te organizuar nga neni 283 paragrafi 1 lidhur me veprat penale mashtrimi nga neni 335 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 te KPRK-se, dhe shmangia nga tatimi nga neni 313 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 te KPRK-se”, ka bërë të ditur Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Këshillit Prokurorial.
Lutfiu ka shtuar se “M.Z dyshohet se me këto veprime është i implikuar në grupin e organizuar kriminal në mashtrimin e qytetarëve që kanë aplikuar për viza pune në Gjermani”.
Pas ndalimit të Zekës ka reaguar gruaja e tij Edlira Qefalija-Zeka. Ajo në profilin e saj në Facebook ka hedhur kritika të mëdha ndaj sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe ka thënë se drejtësia do të vihet në vend.
“Kjo është e vërteta. S’kam asnjë presje çka t’i ndërroj. Gjyqet publike ndaj figurave të ndryshme janë ende hallva që gëlltiten të papjekura, sepse frika që prokurorët dhe gjykatësit ndiejnë para presionit të disa shantazhuesve të paskrupullt është në fakt rezultati real i gjithë asaj çka është instaluar në Kosovën e haraçit, gazit lotsjellës, zolës, intimidimit dhe turpit. Ju mbulojini turpet tuaja me sulme të tilla, por drejtësia do vihet në vend”, shkruan ajo.
Kujtojmë se Zeka dyshohet se mashtroi 920 kosovarë me viza punësimi në Gjermani. /tesheshi.com/