Milorad Dodik tha sot se ai e përkrah popullin serb në Kosovë në çdo gjë dhe se Republika Srpska është gati të bëjë gjithçka për t’i ndihmuar ata edhe përtej kapacitetit të saj.
“Uniteti i kishës dhe shtetit duhet të ekzistojë në mbrojtjen e popullit tonë në Kosovë dhe populli ynë nuk do të mbetet kurrë vetëm atje”, tha Dodik pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe patriarkun serb Porfirije dhe anëtarët e Sinodit të Shenjtë.
“Shteti i Serbisë garanton statusin e lirisë për të gjithë serbët kudo që janë”, tha Dodik.
Ai theksoi se është i shqetësuar për përshkallëzimin e shkaktuar nga sjellja e papërgjegjshme e autoriteteve të Prishtinës, të cilët injorojnë marrëveshjet ndërkombëtare të arritura më parë në lidhje me formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.
“Populli ynë në Kosovë është i vendosur të marrë atë që i ka dhënë ligji ndërkombëtar. Unë i mbështes”, thotë Dodik dhe shton se RS është e gatshme të ndihmojë.
Më 1 nëntor hynë në fuqi masat për riregjistrimin e automjeteve në territorin e Kosovës, të cilat janë shumë të papëlqyeshme në mesin e popullatës serbe.
Reagimet nga Prishtina për largimin e serbëve nga institucionet: Ashtu si nxitja ruse e Donbasit
“Serbia po i detyron dhe inkurajon serbët e Kosovës që të lënë vendet e punës në institucionet e Kosovës”, ka shkruar në Twitter, Blerim Vela, shef i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke reaguar ndaj vendimit të serbëve për të lënë të gjitha institucionet e Prishtinës dhe për të dorëzuar dorëheqjet e tyre.
Ai shtoi se kjo i kujton atij nxitjet ruse në Donbass në vitin 2014.
“Gjithashtu tregon se regjimi i Aleksandër Vuçiqit po e përdor Listën Serbe për destabilizimin”, ka shkruar Vela.
Ai shtoi se Beogradi në mënyrë të njëanshme ka shkelur të gjitha marrëveshjet e Brukselit për shpërbërjen e strukturave serbe në Kosovë duke i detyruar serbët e Kosovës të largohen nga institucionet e Kosovës.
“Ky frikësim nuk do të funksionojë! Institucionet e Kosovës do të mbeten multietnike dhe përfaqësuese të të gjitha komuniteteve”, ka shkruar Vela. /tesheshi.com/