Deputetëve të opozitës, Fisnik Ismaili, Pal Lekaj, Albulena Haxhiu, Besa Baftu, e Donika Kadaj Bujupi u është shqiptuar masa prej 30 ditësh arrest shtëpiak.Këtë e ka konfirmuar për portalin tesheshi.com Arianit Koçi, avokati i deputetit Pal Lekaj.
Avokati Koçi ka thënë se gjykata ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për të caktuar masën e paraburgimit, dhe në këtë mënyrë ka vendosur shqiptimin e masës së arrestit shtëpiak.
“Ndaj këtij vendimi do të ushtroj të drejtën time ligjore për ankesë”, ka thënë Koçi për tesheshi.com.
Ndërkaq, për katër deputetët e tjerë, Rexhep Selimi, Mytaher Haskuka, Teuta Haxhiu dhe Shqipe Pantina, gjykatësi ka shqiptuar masën e lajmërimit në polici.
Deputetët në fjalë dyshoheshin për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të gazit lotsjellës dhe pengim të personave zyrtarë në kryerje të detyrës. /tesheshi.com/