Drejtues të minierës së Trepçës e kanë konsideruar 2015-ën si një vit tjetër të vështirAhmet Tmava, menaxheri i Trepçës, tha në konferencën e fundvitit se “ky vit ishte ai i stagnimit, i mbijetesës e i shpresës, vit i pamundësisë për një progres zhvillimor”, ndërsa çelësi i të gjitha problemeve sipas tij, ka qenë e mbetet statusi i pazgjidhur .
Tmava tha se Trepça nuk ka problem me institucioni e AKP-së, por për menaxhmentin është problem se pse Trepça është nën AKP.
Ai ka rrëfyer se viti 2015 ka filluar me grevë të minatorëve, e për ironi të kohës, pas grevave të minatorëve, pasoi periudha katër-mujore e mungesës së licencës për punë, ku pasojat ishin shumë të mëdha në ecurinë financiare.
“Pas kompletimit të bordit të KPMM-së dhe pas dhënies së licencës për punë, me një mobilizim të jashtëzakonshëm, falë angazhimit të minatorëve, morëm obligime dhe përgjegjësi të minimizimit të këtyre humbjeve duke punuar vetëm për një mbijetesë të jashtëzakonshme”, tha Tmava.
“Çdo shtyerje për zgjidhjen e përherëshme dhe të qëndrueshme të statusit të Trepçës, nënkupton pasoja të cilat veç mund të paramendohen, sepse natyra e aktiviteteve minerare e kërkon kontinuitetit, dhe të gjitha këto telashe vënë në pah nevojën emergjente që qeveria me një ligj të veçantë dhe me karakter publik të zgjidhë problemin e funksionimit të Trepçës”, shtoi ai.
Tmava vijoi duke bërë këtë bilanc: “Ndërmarrëja Trepça, këtë vit po e përmbyll me një prodhim të xehes prej 127 mijë ton, që për shkak të mungesës së licencës për punë për 4 muaj, kthyer në shifra është 12 përqind më pak xehe në minierën e Stan Tërgut dhe 9 përqind më pak xehe në minierën e Artanës, duke shkaktuar kështu një dëm financiar prej 4 milion euro”
Ai ka shtuar se falë kursimeve, Trepça i ka kryer të gjitha oblgimet ndaj minatorëve dhe punëtorëve të saj, ndërsa që të gjitha borxhet ndaj furnitorëve do të kryehen deri në fund të muajit janar të vitit të ardhshëm.
“Trepça nuk do lëmoshë. Eshtë një kompani që ka 56 milion ton rezerva të plumb-zinkut të verifikuara. Ne kërkojmë hapjen e prespektivës për një zhvillim të qëndrueshmë të ndërmarrjes por edhe të Kosovës. Trepça ka staf dhe kuadro që janë të afta që procesin e prodhimit të mineraleve dhe të fnalizimit të tyre ta shtyjnë para, por për këtë duhet përkrahje direkte nga qeveria dhe parlamenti, të cilët duhet të sjellin ligjin për Trepçës”, ka thënë Tmava.
Në anën tjetër, Nezir Behrami, kryetari i Sindikatës së minatorëve të Trepçës ka theksuar se qeveria e parlamenti, përveç ligjit për Trepçën duhet të sjellin edhe ligjin pensional dhe invalidor.
“Kemi disa punëtorë që janë të moshuar dhe të sëmurë por nuk po kemi mundësi t’i dërgojnë në pension, pastaj kemi mbi 10 minatorë që kanë vdekur e familjet e tyre nuk përfitojë as një pension minimal”, ka thënë Behrami.
/tesheshi.com/