Nga Mensur Krasniqi
Fshati Brezë i Karadakut, dikur heroik, tashmë është një fshat i braktisur dhe i harruar nga autoritetet qeveritare. Në këtë krahinë nuk ka asnjë kusht jetesë, ndonëse disa banorë vijojnë të frymojnë aty. Pa rrugë, pa ambulancë dhe pa shitore, thjeshtë të lënë në mëshirë të Zotit. Edhe ata 5-6 familje që jetonin në këtë fshat nuk është se nuk i ndan dashuria nga ky vend, por që nuk kanë ku shkpjnë. Ato janë ndarë tërësisht nga qytetërimi, ndërsa burim të vetëm të ekzistencës e kanë bujqësinë dhe blegtorinë. Problemet më të mëdha sipas fshatarëve hasen gjatë stinës së dimrit: “Mos e dhëntë Zoti ndonjë sëmurje e rëndë, në ato rrugë me gropa vështirë edhe traktori t’ia del”, shprehet i shqetësuar një fshatar.
Por ndryshe këtij realiteti të trishtë të sotëm, Breza shquhet si vendi burrave trima në një të kaluar heroike. Kështu konsiderohet sidomos periudha që nga viti 1912, kohë e rezistencës së shqiptarëve ndaj sundimit serb në ish-Jugosllavinë e atëhershme. Dhe në qendër të kësaj epoke qëndron Kadri Abazi, i cilësuar trim mbi trima, ai i cili i doli zot një motre shqiptare për t’ia ruajtur nderin nga një oficer serb, duke ia këput kryet.
Për këtë akt, Kadri Abazit i është kushtuar një këngë e veçantë edhe nga rapsodët tanë.
Një fshatar i Brezës, flet për atë çka ndodhi atë vit të largët, që përbën dhe shenjën bazë të këtij fshati, atë që e identifikon si fshat trimash
“Në periudhën e vitit 1912-13 serbët u kanë shkaktu probleme të mëdha shqiptarëve. Shqiptarët nuk kanë guxu të qarkullojnë lirshëm asnjëherë. Ashtu siç këndohet edhe në këngët me qifteli, shqiptarët burra e gra të cilët duke u kthyer nga puna janë ndaluar nga policia serbe. Dhe kështu, nji oficer serb ka zgjedhur vajzën më të bukur shqiptare që ta përdhunon. Por Kadri Abazi, i ndikuar nga britma e motrës shqiptare ku thoshte ‘a ka shqiptar që më ndihmon?’, mori sëpatën dhe i’a hoqi kryet serbit. Dhe pas këtij akti trimëror, e shpëtoi motrën dhe të tjerët, dhe vetë asnjëherë nuk i ra në dorë policisë. Ishte në arrati afër 30 vite në malet e Karadakut”, sqaroi fshatari.
Dhe e veçanta është se aktin e Kadri Abazit, banorët e fshatit kanë vendosur që të përjetësojnë në një formë origjinale. Mbi varrin e tij afër xhamisë së fshatit, si në një vepër instalative, figuron edhe sëpata e improvizuar me gjakun e serbit. /tesheshi.com/