Nga Bardha Nergjoni
Rreth 12 vjet më parë, në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, do të niste një proces transformimi jo vetëm në zhvillim por edhe në imazh. Ndryshimet do të ishin të shumëllojshme, që nga arkitektura e banesave, stili i ndërtimit, rimodelimi i hapësirave publike e deri tek mozaiku i ngjyrave të pallateve.
Por mes këtyre transformimeve, ajo që ka kaluar kufijtë e urbanes, janë ngjyrat dhe figurat gjeometrike në fasadat e pallateve që i përkasin regjimit komunist por edhe ndërtesa të ndërtuara rishtazi. Kjo nisëm u ndërmor nga kryeministri Edi Rama, atëherë kryetar bashkisë në kryeqytet, i cili i inspiruar nga profesioni i tij si piktor, vendosi të ndryshoje fasadat e pallateve sidomos në sheshet dhe rrugët kryesore të kryeqytetit. Por kjo pjesë këtij mozaiku ngjyrash do të ishin edhe ndërtimet e reja në Tiranë, pallatet shumëkatëshe, shtëpitë e banimit, institucionet social-kulturore, etj. Ngjyrat që mbizotërojnë më shumë janë e kuqja, e verdha, jeshilja, portokallia, bluja, etj., duke iu dhënë në këtë mënyrë pallateve të ndërtuar disa dekada më parë një identitet të ri për atë kohë.
Kjo nismë fillimisht hasi në kundërshtime të disa zërave nga politika, shoqëria, por edhe banorëve, për shkak të ngjyrave të ndezura, por ky projekt i ndërmarrë vite më parë kur Tirana drejtohej nga kryeministri aktual, ngjalli edhe kureshtjen dhe vëmendjen e medieve të huaja, ku disa prej tyre, edhe prestigjioze i kanë bërë jehonë këtij trendi të ri të lyerjes së pallateve të kryeqytetit shqiptar.
Kështu, në një periudhë të shkurtër pothuajse u zhduk ngjyra gri e pallateve të ndërtuara sipas stilit dhe orientimit komunist, për të ia lënë vendin mozaikut të ngjyrave të ndezura, duke e kthyer kështu Tiranën në një metropol më tërheqës sidomos për vizitorët dhe turistët e huaj.
Veç ngjyrave u përdorën shumë figura gjeometrike, madje edhe vizatime e simbole që lanë shenjë tek këto pallate si për mirë ashtu edhe për keq. Qytetarët që banojnë tek “Vasil Shanto” përmendin si me shaka pallatin që tek-tuk ka ndonjë vizatim veshjesh, i cili në zhargon njihet si “pallati me brekë”.
Ndër më të veçantët nga këto pallate që u kthye ndër vite në një pikë orientuese në kryeqytet, ishte “pallati me shigjeta”. Edhe pse shigjetave dhe ngjyrës së pallatit ka filluar t’i dalë boja, banorët e këtij pallati janë të një mendjeje, shigjetat i duan sërish. Në vorbullën kaotike të Tiranës pallati i tyre njihet nga të gjithë, madje është kthyer në një pikë orientimi edhe për banorët përreth, bizneset, si dhe vizitorët që nuk e njohin kryeqytetin.
Në këtë pallat të stërmadh jetojnë 250 familje dhe një rrjet biznesesh. Teksa i pyet si është të jetosh tek “pallati me shigjeta”, nëse ka një ndjesi të veçantë, duke qeshur të gjithë konfirmojnë se ndjehen mirë pse janë banorë të këtij pallati me status të veçantë vizual. Nuk e kanë aspak bezdi të japin shpjegime për të gjithë ata që kërkojnë një adresë pranë këtij pallati; dhe shpresojnë që sërish, kur të rilyehet, shigjetat të ripikturohen, por me këshillën që të jenë më të drejta.
Kujtimi, një prej banorëve thotë se pallati i tyre u bë me shigjeta sepse vendosi vetë kryetari i atëhershëm i bashkisë, Edi Rama. “Doni të dini pse u bë me shigjeta? Erdhi vetë Edi Rama këtu e vendosi të bëhet me shigjeta. Nëse e shikon një prej shigjetave në anën tjetër është e shtrembër pak. Atë e ka bërë vetë kryetari i bashkisë. Kam qenë aty kur e bëri. I tha atyre që po lynin, kështu e dua dhe ashtu u bë. Vetëm para e kanë lyer tamam pallatin. Pallati me shigjeta është bërë si pikë reference për njerëzit. Edhe në internet del”.
Nëse do të rilyhej vetë banorët do ta donin po kështu. “Mirë është se çfarë ka kështu. Të gjithë orientohen lehtë. S’na prish punë neve kjo e shigjetave. Shyqyr që na vunë shigjeta se do ishim si tek pallati tek “Vasil Shanto” që njihet si “pallati me brekë”, përfundon Kujtimi që duke pasur biznes nuk ka shumë dëshirë të identifikohet me emër e mbiemër.
Ndërkohë, një tjetër banor që ka ardhur pak më vonë tek ky pallat, shprehet se ndjehen mirë pse janë banorë të “pallatit me shigjeta”. Fatmir Kaso tregon se njerëzit orientohen shumë mirë nga ky pallat.
“Vijnë njerëzit tek ‘Kujdesi ndaj klientit’ dhe na pyesin ku ndodhet, pasi në adresë thuhet tek ‘Pallati me shigjeta’. Ne më pas i orientojmë ne vendin e saktë. Kur ka qenë kryetar Rama ishte mirë. Mbaj mend se edhe një herë tjetër erdhi vetë kur u përmbytëm. Hapi një kanalizim nën urën e Lanës. E bëri si burrat ai se ne përmbyteshim e dilnin ujërat e zeza sipër”.
Edhe i moshuari thotë se pallatin e duan të rilyer po me shigjeta. “E duam me shigjeta sërish pasi i ka ardhur koha të lyhet. Këtë herë i duam shigjetat të drejta dhe me estetikë. Të mos i humbë tradita e pallatit me shigjeta”.
Një tjetër banore, Dudi Sheshu, shprehet se ka qenë një gjetje interesante ajo e shigjetave në pallatin ku jeton. “Nuk më kujtohet mirë, por kur është lyer është bërë me shigjeta. Më duket shumë gjetje interesante. Është shumë orientuese. Të tjerët gjejnë edhe vendet e tjera kollaj. Edhe nëse lyhet duam që të lyhet po me shigjeta. Bashkia e Tiranës e ka bërë në atë kohë kështu. Sa për Edi Ramën, nuk e mbaj mend të ketë qenë këtu. Nuk pati asnjë kundërshtim për shigjetat. Në fillim u çuditëm disi por më pas u mësuam. Këtu është si me thënë “tek 21-shi”, ashtu ka ngelur dhe “Pallati me shigjeta”.
Të gjithë banorët e quajnë gjetje dhe nuk i kanë bezdi shigjetat që tashmë janë kthyer në një toponim interesant në Tiranën e madhe që po krijon emërtime të reja që ndihmojnë orientimin drejtë të banorëve të saj dhe jo vetëm.
Ngjyrat që ndryshuan Tiranën
Edi Rama mendoi se zgjidhja e shumë problemeve të Tiranës në atë kohë ishte arti! Mesa duket strategjia transformuese me bojë për qytetin e Tiranës, i dha njerëzve shpresën dhe një lloj entuziazmi… “Kur ngjyrat dolën ashtu si nga hiçi, një ndryshim i humorit filloi të transformojë shpirtin e njerëzve… Ata filluan të hedhin më pak mbeturina në rrugë. Filluan të paguajnë taksa. Filluan të ndjejnë diçka që e kishin harruar… Bukuria i dha njerëzve ndjesinë e të qenit të mbrojtur. Kjo nuk ishte një ndjenjë rastësore!” do të shprehej Edi Rama, gjatë TEDEX ne Selanik.
Veliaj ndjek shembullin e Ramës
Fasadat e pallateve në Tiranë do të lyhen sipas projektit që nisi ish-kryebashkiaku Edi Rama në vitet 2003-2004. Bashkia e Tiranës ka vendosur të rikthejë projektin për lyerjen e pallateve, ku parashikohet të riparohen fasadat ekzistuese. Gjatë inspektimit të ndërhyrjes që po bëhet në fasadat e pallateve në Zogun e Zi, gati dy muaj më parë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se bashkia i rikthehet projektit të fasadave për të freskuar pamjen ekzistuese të pallateve dhe për t’u siguruar që qyteti ka ngjyrat për të cilat u bë shumë i njohur në vitet 2004. Projekti do të jetë me dy faza, ku do të ftohen edhe artistët të propozojnë idetë e tyre për lyerjen e fasadave.Ky projekt nuk do të përfshijë vetëm fasadat në rrugët kryesore, por të gjitha lagjet në Tiranë. Gjatë ndërhyrjeve që do t’i bëhet fasadave të pallateve do të preken edhe bizneset në katet e para të ndërtesave që do të unifikohen me mënyrën e vendosjes së tabelave të reklamimit. /tesheshi.com/