KUJTESË: Gramoz Palushi, djaloshi që u vra barbarisht pasi Greqia humbi me Shqipërinë në futboll

gramoz-palushi-289x300Sot mbushen ekzaktësisht 11 vjet nga vrasja e një shqiptari në Greqi, ndërsa po festonte fitoren ndaj Shqipërisë më 4 shtator 2004.

Gramoz Palushi, 20-vjeçari që humbi jetën tragjikisht,do të përkujtohet  nga tifozat kuqezi në stadiumin e Kopenhagenit.

Para fillimit të ndeshjes së sotme me Danimarkën, tifozët kuqezi do t’i kushtojnë një homazh Gramoz Palushit, i cili u vra 11 vjet më parë në një ishull të Greqisë vetëm se gëzonte fitoren e ekipit kombëtar.

Ishte pikërisht mbrëmja e 4 shtatorit 2004, në Qemal Stafa, Shqipëria fitoi ndaj Greqisë me rezultatin 2 me 1, duke mundur të saposhpallurën Kampione Europe.

Gëzuan shqiptarët ngado ku ishin dhe padyshim diaspora është më e ndjeshme. Në ishullin Zakinthos në Greqi, 20 vjeçari Gramoz Palushi, po festonte bashkë me disa miq të tij. Por një grup huliganësh iu sulën, duke i ngulur thikën në bark.

Një mik i tij, Imer Elezi, është shprehur se personeli mjekësor nuk e trajtoi siç duhet në spital pasi e la për një kohë të gjatë pa e prekur me dorë me justifikimin se nuk ishte i siguruar.

Autori i vrasjes: Panajotis Kladhis, një i ri greko-amerikan, në fillim u dënua me burgim të përjetshëm ndërsa më pas Apeli ia uli me 22 vite burg.

Gramozi ishte vetëm 20 vjeç, kur një psikopat i egërsuar nga racizmi i nguli thikën në bark. Ishte një i ri me origjinë nga Kukësi që si mbi 1 milion shqiptarë ndodhej në kurbet në Greqi por që u bë viktimë e një flame që shkatërron edhe sot njerëzimin: urrejtja.

Tifozët kuqezi do ta përkujtojnë  Gramozin edhe si një apel për drejtësi dhe apel kundër dhunës dhe agresivitetit në sport.

Në Shqipëri, në vitin 2008, u themelua Shoqata Kombëtare “Gramoz Palushi”, nga i ati i Gramozit në mbrojtje të të drejtave të emigrantëve. Gjithashtu, një gjimnaz në periferi të Tiranës mori emrin “Gramoz Palushi”.

/tesheshi.com/