Shteti i pasur alpin pohon se planifikon t’u japë ndihmë financiare vendeve të Ballkanit për ta përballuar numrin e jashtëzakonshëm të emigrantëve që po e shfrytëzojnë aktualisht territorin e tyre për të kaluar në vendet më të zhvilluara të Bashkimit Europian.
Ministria e Jashme e konfirmoi këtë në një raportim në të përjavshmen NZZ am Sonntag, ku thuhej se Zvicra synon të dërgojë ndihmë financiare për Serbinë, Maqedoninë dhe Bosnjë-Hercegovinën, për t’i ndihmuar këto vende në lehtësimin e krizës së refugjatëve.
Raporti bën fjalë në fakt për një shumë modeste, por zëdhënësja e ministrisë, Silvia Mueller, i tha agjencisë së lajmeve AFP se sasia monetare që do të dërgohet nuk është vendosur ende.
Ajo qartësoi se ka gjasa që çështja të diskutohet javën e ardhshme në një takim dypalësh, mes Zvicrës dhe Serbisë.
Sipas së njëjtës të përjavshme të përmendur më sipër, Zvicra ka siguruar tashmë 40.000 franga zviceriane për të ndihmuar në ndërtimin e një kampi refugjatësh në një qytet kufitar serb.
Qeveria zviceriane ka parashikuar po ashtu që vendi të presë 30.000 azilkëkërkues këtë vit dhe në vitin pasardhës.
Dy vende të rajonit ballkanik, posaçërisht Serbia dhe Maqedonia, janë prekur më shumë nga vala e refugjatëve, me këtë të fundit të gjendur ditët e shkuara në qendër të vëmendjes për shkak të pamjeve të trishtuara të ofruara nga trajtimi i tyre. /tesheshi.com/