Situata e zjarreve në vend dhe mbytjet e shkaktuara gjatë sezonit turistik ishin dy nga temat e prekura nga kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me gazetarë në Velipojë, në një format të ngjashëm me atë të Llogarasë të pak ditëve më parë, ndërkohë që mbledhja jozyrtare e qeverisë së re vazhdon prej ditës së djeshme.
Referuar zonave turitike Rama ka ripërsëritur sërisht projektet, duke premtuar edhe një rregullim ligjor përsa i takon vlerësimit të yjeve të hoteleve, që sipas tij do të lidhen me cilësinë e shërbimeve dhe ujrave, por edhe kushtet që ofrohen.
Rama tha se në dijeninë e tij, shumica e rasteve kur turistë, vendas apo të huaj, kanë humbur jetën, kanë ndodhur në plazhe të paautorizuar dhe jo për pasojë të mungesës së rojeve bregdetare.
“Me sa di shumica e rasteve kanë ndodhur në plazhe të paautorizuara. Dikush shkon larg dhe pëson infarkt, kësaj s’ke çi bën. Nuk ka ndodhur si pasojë e mungesës së rojeve bregdetare. Por është këtë çështje do ta fusim në standardin e vitit të ardhshëm. Kemi një plan të mirë vitin e ardhshëm për ta përmirësuar këtë situatë”, premtoi Rama.
Ndërkohë në lidhje me zjarret, kryeministri tha se do të jenë bashkitë ato që duhet të përballojnë emergjencat civile,
“Të punojmë që tani për aspektin e zbatimit të ligjit. Duhet të mobilizohet edhe popullata në shtresa dhe nivele të caktuara, në disa nivele detyruese, dhe më pas do të shikojmë si do të jetë rezultati, por besoj se do jetë shumë më në kontroll”, shtoi ai.
Në vijim kryeministri tha se shpreson që zjarrëvënësit e arrestuar nga policia të marrin dënimin ligjor. Gjithsesi Rama tha se historia me zjarre të qëllimshme duket e pabesueshme, për faktin se edhe vende fqinje si Greqia apo Italia u përballën me emergjenca të tilla. /tesheshi.com/