Nga Bashkim Kastrati
Zjaqa është një fshat i trevës së Shalës së Bajgorës, që pas luftës ka numëruar mbi 40 shtëpi; por tani, pas 15 viteve aty kanë ngelur vetën dy shtëpi, fshatë malor i cili gjendet në veri perëndim të rajonit të Shalë së Bajgorës.
Gjendet diku mbi 22 km larg Mitrovicës. Nga rruga e asfaltuar që të shpie për në fshatin Vllahi, në qafën e Pretenit, kthehesh majtas, në një rrugë mes ahishtave, që në një moment njeriu mendon se drunjtë janë duke prekur qiellin.
Një rrugë shumë e vështirë për t`u kaluar, që kurrë deri më tani nuk kishte ndjerë fuqinë e shtetit për ta rregulluar, se paku për ato dy familje që pothuajse kishin ngelur të ngujuara në mesë të maleve të Shalës, por që ishin krenare për jetën dhe fshatin e tyre që dikur kishte qenë plot gjallëri.
Jeta në këtë fshat duket shumë e zymtë, pikërisht për faktin se aty jetojnë vetëm dy familje me 16 anëtarë; pa infrastrukturën e nevojshme; me një rrugë malore që vështirë kalohet vetëm me xhip dhe traktorë; me një rrjet të vjetëruar të energjisë elektrike, e të mos flasim për ndonjë ambulancë apo shkollë.
Në shtëpinë e parë që hasëm, në skaj të saj, vërehej një antenë satelitore, ndërsa pas saj dëgjohet një zhurmë, që të dukej se meshkujt e atyshëm po bëheshin gati të shkonin për të mbledhur ushqimin e bagëtive. Bëhet fjalë për familjen Hajdari, ku Fidan Hajdarit, pasi që i lëshuam një zë, la punë dhe erdhi të na takojë.
“Ejani brenda, ejani ta pimë nga një kafe”, ishin fjalët përshëndetëse të Fidanit, që karakterizojnë mikpritjen shaljane.
“Eh, jeta këtu në këtë fshat është shumë e vështirë, jo vetëm për probleme të qarkullimit, por vetmia po na shkatërron”, thotë Fidani, rreth të njëzetave që kishte mbaruar një vit më parë shkollën e mesme teknike në Mitrovicë.
“Në këtë kohë jemi në vlugun e punëve të mëdhe për të siguruar ushqimin për bagëtitë, por edhe koha po na pengon pasi që po bie shi dhe nuk po na lë të punojmë. Këtu herët duhet me ju përgatit dimrit, duhet të sigurohet miellin dhe drutë për dimër, se po filloi bora e para më nga këtu nuk dilet as me traktor, por vetëm në këmbë”, shprehet ai
Fidani saktëson faktin se fshati Zjaq ka aktualisht vetëm dy familje me gjithsej 16 banorë, ku shton se vetë ai këtu nuk kam asnjë shok.
“Të gjithë shokët i kam në qytet, sepse këtu nuk ka njerëz. Tërë ditë punojmë. Kemi 15 krerë lopë si dhe rreth 100 pula. Me pulat kemi pak hall, pasiqë duhet me i ruajt mirë se po na i hanë dhelprat dhe shqiponjat”, thotë Fidani.
“Kemi disa fëmijë që shkojnë në shkollën fillore në fshatin Vllahi, ku nga këtu është rreth 4 km larg. Bëjnë këtë rrugë malore, por kur bie borë, bëhet më vështirë dhe atëherë dikush duhet t`i ndihmojë”.
Por një fije shpresë po përshkon shpirtërat e atyre pak njerëzve në Zjaq, fakti që një fqinj i tyre që ka jetuar me familjen në Kroaci, ka nisur të investojë në një pemishte.
“Tashti bile dëgjojmë zëra të njerëzve, që janë duke punuar në pemishte dhe për ne, kjo është një kënaqësi pasi që edhe zërat na mungonin”, thotë Fidani.
“Tërë këtë vit, kur kam pasuar kohë kam punuar në pemishten e Isuf Zenelit, që e kam edhe këtu afër shtëpisë sime, shton i riu nga Zjaqa.
Dhe vërtet, derisa fliste fliste për fqinjin e tij që po investonte në Zjaqe, tek Fidani vërehej një fytyrë më e qeshur, më e gjallë: “Është kënaqësi që dikush nga bashkëfshatarët e mi që janë në mërgim po kthehet dhe po investon në fshat”, shton ai.
Por çfarë thotë vetë Isuf Zeneli që ka vendosur ta gjallërojë jetën e atyshme me një pemishte? Si erdhi puna që ai të investojë aty ku ka aq pak frymë njeriu, e ku trishtimi i vetmisë të mbyt?!
“Fshati Zjaqë gjendet në 930 metra lartësi mbi detare, dhe pas konsultimeve me disa ekspertë italian të pemëtarisë pasi dy vizitave në fshat, me nxitjen e tyre vendosa që të investoj në një pemishte që do të ketë rreth 20 ha tokë”, ka thënë Isuf Zeneli, që përkohësisht jeton me familje në Kroaci.
“Ende jam në gjysmën e punës. Deri më tani kam mbjellë mbi 4800 kultivarë të mollës me 4 varietete të ndryshme, si dhe rreth 1500 kultivarë të dardhës, të gjitha këto të ardhura nga Instituti Bujqësor i qytetit të Veronës në Itali”, sqaron Isufi.
Ai shpjegon se ishin pikërisht ekspertët italianë ata morrën mostrat e dheut prej aty, dhe pas analizave që u bënë në Itali, u vendos që aty të mbilleshin mollë dhe dardhë, pasi toka ishte shumë e përshtatshme për këto dy lloj pemësh.
“Pasi këto fidanë janë mbjellë në një lartësi mbidetare prej 930 metrave, cilësia e tyre, gjithmonë sipas ekspertëve italianë, do të jetë sikurse mollët e veriut të Italisë dhe të alpeve austriake”, thotë Isuf Zeneli.
Ai shprehet se beson që pemishtja do të jetë nga më modernet në tërë Kosovën, por edhe në rajon.
‘E tëra do të jetë e mbuluar me rrjetë, në mënyrë që pemët të mos dëmtohen nga breshëri, por edhe të ruhen nga dielli, pa llogaritur për sistemin e ujitjes. Ky është viti i dytë që i kam mbjellë. Çdo peme tani duhet të jap së paku nga 12 kg mollë. Shitja është e garantuar në vendet e BE-së, pasi që prodhimi për shkak të lartësisë mbi detare do të krejt jetë BIO”, thotë Isufi.
“Jam shumë i kënaqur që më është dhënë mundësia të investoj në fshatin tim të lindjes. Por edhe për fqinjët e mijë, për këto dy familje që po jetojnë këtu, të cilët më kanë pritur mirë dhe po kontribojnë shumë në punë. Besoj se edhe banorë të tjerë të fshatit do të kthehen. Ata do të kenë përkrahjen tim sa i përket kultivimit të mollëve, ndërsa që nga këtu unë ju garantoj shitjen e tyre”, shprehet Isuf Zeneli.
Ai ka premtuar se tërë fshatrave të Shalës së Bajgorës, pra atyre që dëshirojnë të merren me pemëtari, do t`iu ndihmojë në këshilla profesionale rreth mollëve dhe dardhave.
“Shala, është treve shumë e mirë për kultivim të pemëve dhe sipas ekspertëve italianë, këtu pemët do të keni një cilësi shumë të lartë, me standarde të BE-së, që sigurisht kërkohen nga vendet e ndryshme europiane ”, ka thënë ai.
Një tjetër lajm të mirë ai ka dhe faktin se pas këtij investimi, ka marrë premtimin prej pushtetarëve në Mitrovicë se do bëjnë diçka për rregullimin e rrugës dhe infrastrukturës tjetër përcjellëse. /tesheshi.com/