Reuters ka zbuluar se ish-punonjësit e Agjencisë Amerikane të Sigurisë Kombëtare (NSA) ndihmuan Emiratet e Bashkuara Arabe të ndërtojnë një program spiunazhi kibernetik përmes të cilit ata monitoruan shtetet, zyrtarët, aktivistët dhe mediat.
Reporterët nga agjensia britanike ekzaminuan më shumë se 10,000 dokumente programi të njësisë së spiunimit sekret të Emirateve, të njohur me akronimin DREAD, pas së cilës u kodua me emrin “Project Raven”.
Richard Clarke, një ish-koordinator i sigurisë kombëtare dhe kundër terrorizmit në Shtetet e Bashkuara, ndihmoi Emiratet e Bashkuara Arabe të ndërtonin një njësi sekrete, e cila filloi punën në vitin 2008 nën emrin “Departamenti i Zhvillimit, Shfrytëzimit dhe Kërkimit” me qëllime dhe plane praktike, sipas Reuters.
Agjensia shton se ka intervistuar dhjetëra kontraktorë, ish-agjentë të inteligjencës dhe punonjës të qeverisë, të cilët janë informuar me dokumente në lidhje me projektin që Clark ka drejtuar që nga viti 2008 dhe janë njohur me planet dhe qëllimet e tij.
Raporti thotë se Clark ka përdorur marrëdhëniet e tij të ngushta me sundimtarët e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe, përmes përvojës që ka fituar gjatë shërbimit si një zyrtar i lartë, ka qenë në gjendje të nënshkruajë shumë kontrata këshilluese për sigurinë në Emirate.
Dhe njëra prej tyre ka qenë ndihma në ndërtimin e një njësie sekrete spiunësh në një strukturë aeroporti të papërdorur në Abu Dhabi.
Dokumentet zbulojnë se Abu Dhabi intensifikoi operacionet e tij të spiunazhit duke nisur që me “Pranverën Arabe”, duke synuar protestuesit dhe të tjerët që kritikonin regjimet përkatëse, si dhe aktivistët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut.
Agjensia konfirmoi që qindra zyrtarë të Katarit ishin në shënjestër të njësisë spiune të Emirateve në vitin 2014, dhe se programi në atë kohë rriti operacionet e depërtimit në qeveritë rivale në Lindjen e Mesme, të tilla si Irani dhe Katari, pasi fokusi i programit u zhvendos nga anti-terrorizmi, mbi spiunazhin kundër armiqve gjeopolitikë, tregojnë dokumentet.
Reuters gjithashtu thotë se ish-zyrtarët e NSA, me ndihmën e Emirateve, kontrolluan kompjuterët e Katarit dhe zyrtarëve të tjerë të FIFA-s, pasi Doha mori organizimin e Kupës Botërore 2022, me shpresën për të marrë informacion gjë që do të dëmtonte të drejtën e Katarit për të pritur Botërorin.
Thuhet se në vitin 2017, njësia spiune e Emirateve ka zhvilluar një mjet të ri për të depërtuar nga distanca në celularët e personaliteteve të mediave dhe drejtuesve rivalë, përfshirë këtu edhe emirin e Katarit. /tesheshi.com/