Zhvillimet të bujshme paralajmërohen për ngjarjen më të rëndë të ndodhur një vit më parë kur bankieri i njohur në vend artan santo u vra në një atentat pranë isntitucionit financiar që drejtonte.
Grupi hetimor ka mbledhur prova të mjaftueshme për kryerjen e disa arrestimeve. Një nga provat është gjurma e bariumit, element kimik i fishekut që dyshohet se u është gjetur dy kushërinjve nga Fushë Kuqja, Klodian dhe Gazmir Gjozi, të cilët u kapën nga policia pak ditë pas vrasjes, por u lanë të lirë për mungesë provash.
Po ashtu grupi hetimor mësohet se ka në duar një material të zgjeruar edhe me përgjime telefonike apo ambjentale, survejime, monitorime lëvizjesh apo dëshmi.
Nga burimet policore thuhet se janë mbi 100 orë filmime të kamerave të policisë, të cilat janë ekzaminuar, ndërsa lëvizjet e motoçikletës janë të dokumentuara deri në humbjen e gjurmëve.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardian Çipa tha se janë pranë zbulimit të autorëve. i kontaktuar nga televizioni A1 Report, Çipa konfirmoi se ka një intensifikim të veprimeve të grupeve hetimore për këtë rast. Ai po ashtu konfirmoi se finalizimi i veprimeve pritet të ketë një rezultat në muajin shtator, kur sipas tij mund të ketë edhe arrestime të mundshme.
Bankieri Artan Santo, u qëllua me armë zjarri pistoletë mëngjesin e 26 qershorit të vitit të kaluar, kur sapo kishte zbritur nga vetura e tij. Santo u qëllua nga dy persona që lëviznin me motor, tek sapo i drejtohej zyrës së tij në qendër të bllokut.
Që nga ajo kohë, policia ka shoqëruar dhjetëra persona të dyshuar apo që mund të kenë dijeni për vrasjen, por që ka mbetur e pa zbuluar.
Me dhjetra dëshmi janë administruar në këtë dosje ku më kryesorja është ajo e shoferit të Santos dhe personave që ishin pranë vendgjarjes më 26 qershor kur dhe ndodhi krimi.
Pak ditë më parë ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri deklaroi se i dyshuari kryesor për vrasjen e bankierit Santo është Durim Bami, 36 vjeçari nga Fushë Kruja që u ndalua dhe më pas u la në arrest shtëpie nga gjykata me akuzën e moskalëlzimit të krimit në lidhje me skenarin e pretenduar nga Tom Doshi për eleminimin e tij nga Ilir Meta. /tesheshi.com/