Pas vendosjes së pagesës për kalimin në Rrugën e Kombit, po bëhen të ditura dhe tarifat përkatëse sipas mjetit. Siç informon Top Channel, për ata drejtuesi të me motoçikleta, “scooter”-a apo automjete me 3 rrota, pagesa do të jetë 2.5 euro për kalim.
Për automjetet personale, ato komerciale dhe mikrobusët, tarifa do të jetë 5 euro. Ndërsa për autobusët dhe automjetet komerciale me 6 rrota, pra maunet, kamionët, trajlerat, tarifa kalimit do të jetë 11.25 euro.
Por ka dhe një tjetër tarifë që do të jetë më e lartë dhe që iu përket mjeteve më të rënda. Për kamionët e mesëm dhe autobusët e rëndë me 3 akse, ajo shkon në 16.25 euro. Po kaq do të paguhet edhe për automjetet tregtare, që kanë një lartësi mbi 2.7 metra. Ndërsa për kamionët e rëndë me 4 ose më shumë akse, taksa e kalimit do të jetë 22.5 euro.
Por jo të gjithë do të paguajnë. Të përjashtuara do të jenë ambulancat, makinat e policisë, mjetet e ushtrisë dhe zjarrfikëset, ndërsa për banorët e zonës do të ketë një skemë kompensimi, ku koncesionari do të paguajë në shtet 120 mijë euro në vit, për 3 vitet e para, dhe këto parà do t’u kthehen banorëve sipas një skeme që do të përcaktohet nga Ministria e Transporteve dhe bashkitë.
Ndërsa për përdoruesit e shpeshtë të rrugës, ata që kalojnë më shpesh në autostradë, do të ketë një zbritje tarife, por që nuk është përcaktuar ende. /tesheshi.com/