Xhozef Konrad ishte një fenomen. Lindur nga prindër polakë në vitin 1857 në një pjesë të perandorisë Ruse që tani është Ukraina, ai u pagëzua si Jozef Teodor Konrad Korzeniowski. Frëngjishten e kishte gjuhë të dytë dhe në Angli mbërriti (kur nisi edhe të flasë ndonjë fjalë anglisht) në moshën 21-vjeçare. Megjithatë, ishte aq mjeshtërore zotërimi i gjuhës nga ana e tij, sa tashmë ai vlerësohet si një prej shkrimtarëve më të mëdhenj në anglisht.
Në vitin 1948 F.R. Leavis, një kritik letrar i mirënjohur në universitetin e Kembrixhit, e listoi atë në “Traditën e Madhe” përkrah me Jane Austen, George Eliot dhe Henry James. Tetë vjet më pas, një tjetër kritik, Walter Allen, shkroi se “Nostromi” ishte pa dyshim “romani më i madh në letërsinë angleze të këtij shekulli”. “Zemra e Errësirës” fitoi një audiencë të re përmes filmit “Apocalypse Now”, filmi epik i Frensis Kopolës i vitit 1979.
Gjithsesi, lexuesit e sotëm shpesh frenohen nga stili i komplikuar i Konradit. Kjo është për të ardhur keq. Shumë nga romanet dhe tregimet e tij të shkurtra përcjellin pasurisht këmbëngulje. Ashtu si edhe Maya Jasanoff, profesore e historisë britanike dhe perandorake në universitetin e Harvardit e shpjegon në një libër të ri që përzjen historinë dhe kritikën letrare. Konrad shkroi “në pritje të shekullit të 20” për shumë prej forcave globale dhe rreziqeve që kanë përfshirë botën sot.
Romancieri mbeti jetim në moshën 11-vjeçare, prindërit e tij ishin sëmurur pasi u dëbuan në azil për shkak të aktivitetit revolucionar në “dyert e Siberisë”. Në moshën 16-vjeçare ai u arratis drejt detit. Për gati 20 vjet, punoi si një detar i zakonshëm nga Marseja, ku, për shkak të borxheve dhe dëshpërimit, thuhet se tentoi edhe vetëvrasjen. Më pas ai u bë një marinar plotësisht i kualifikuar britanik dhe udhëtoi nëpër botë, sidomos në arkipelagët dhe gadishujt e Azisë Jug-lindore, ku janë vendosur edhe pjesa më e madhe e rrëfimeve të tij.
Konrad, shkruan Jasanoff, “i përkiste brezit më të fundit të detarëve që punuan fillimisht me anije me vela”, që ai i quante “aristokracia”. Në shkrimet e tij, ai “e transformoi anijen britanike të lundrimit në një standard të artë për sjelljen morale”.
Duke lundruar drejt Australisë si ndihmës i parë me anijen “Torrens”, ai zuri shok Xhon Gollsuorthin, avokatin e ri që më pas shkroi “Sagën e Forsajtëve” që i fitoi atij një çmim Nobel.
Më pas, në vitin 1894, pa ndonjë perspektivë, Konrad braktisi detin dhe publikoi romanin e tij të parë, “Almayer’s Folly”. Rrugëtimi nga të lindurit polak tek marinari dhe shkrimtari ishte i plotë. Dy vjet më vonë, pas një shoqërimi të shkurtër e të tmerrshëm, ai martohet me
Jessie George, dukshëm e papërshtatshme për të, u bë babai i dy djemve, dhe ia kushtoi pjesën tjetër të jetës së tij të shkruarit.
“Roja i agimit” e Jasanoff përshkruan udhëtimet e asaj vetë në kërkim të Konradit – katër javë në një anije mallrash franceze përgjatë oqeanit Indian dhe një udhëtim të ndërlikuar në republikën Demokratike të Kongos. Ajo integron plot hijeshi detaje të jetës së Konradit dhe rrëfimet e katër veprave të tij më të mëdha, duke i lidhur forcat dhe sfidat në hije dhe brenda romaneve, me ato të shekullit të 21-të.
Nëse jo aq kozmopolitane sa sot, Londra në vitet 1890 mbante 50 mijë europianë kontinentalë – “më shumë sesa popullsia e Krakovës”. (Konrad mund të ishte kurioz të dinte që polakët tani janë grupi i madh me vendlindje të huaj në Britani). Revolucionarët rusë dhe militantët nacionalistë irlandezë frymëzuan “Agjenti sekret”, vendosur në ambjentin e trishtë të Londrës dikensiane, një trajtim ironik i komploteve dhe terrorizmit dhe një bombe që shpërthen në momentin e gabuar duke vrarë një teveqel të pafajshëm. Më pas, ashtu si ndodh edhe tani, kërcënimi nga anarkia dhe terrorizmi nxisin ndjesitë kundër emigrantëve. Ashtu si shkruan Jasanoff: “Kur mendon se një i huaj mund të të marrë punën, ti proteston. Kur mendon se një i huaj mund të të vrasë, të kap paniku”.
Nëse “Agjenti Sekret” rrëfehet në një mënyrë lehtësisht të lexueshme, “Lordi Xhim” që u publikua shtatë vjet më pas, është tërësisht më ekzotik dhe kërkues. Kapiteni Marlou, rrëfimtari i Konrad, përshkruan sesi në një moment konfuzioni, një i ri anglez me portret të fuqishëm braktis anijen e mbushur me pelegrinë që duket se po mbytet.
Me ndërgjegje të vrarë dhe përndjekur, Xhim disa herë përpiqet të rinisë jetën, por pikërisht atëherë kur ai duket se po ecën mirë, ai shkatërrohet. Kjo narrativë e rrëmbyeshme, shkruan Jasanoff, “flet me anë të një metafore që do ta vlerësonin imperialistët”, në veçanti për drejtësinë morale të “llojit të mirë” të anglezëve. Rrëfimi dihet se u vlerësua si shumë origjinal dhe frymëzoi shumë shkrimtarë të rinj, edhe pse jo të gjithë ishin të bindur. Për E.M. Forster, “kutia sekrete e gjenialitetit të tij përmbante më shumë avull sesa brilante”. Por Jasanoff, vë në dukje se “për Konrad, vetë avulli ishte brilant”.
“Zemra e Errësirës”, që doli në vitin 1902, dy vjet pas “Lordit Xhim”, u frymëzua nga përvoja e shkurtër dhe trazuese e shfrytëzimit belg të Kongos në atë kohë, koloni belge. Ai u pezmatua nga trajtimi i afrikanëve dhe tregtia e fildishit, ashtu si ilustrohet me personazhin e romanit, Kurtz, agjentin që erdhi me premtimin për qytetërim po u shndërrua në harbutin e egër e që në fund shpërthen me fjalët: “Tmerr! Tmerr!”.
Konrad shprehu shqetësime të ngjashme në romanin më substancial “Nostromo” të vitit 1904. Për herë të parë ai shkruan për një vend imagjinar, republikën amerikano-jugore Costaguana, por ishte “një roman për çdo vend ku ai kishte qenë”. Në të ai projekton gjithë cinizmin e tij politik, nostalgjinë për kohën para-teknologjike dhe frikërat e tij për të ardhme të dominuar nga “interesat materiale”.
Jasanoff thotë se u nis për të eksploruar botën e Konradit “me kompasin e një historianeje, hartën e një biografeje dhe mjetet e lundrimit të një lexueseje”, dhe këto i kanë shërbyer mirë. Romancieri Anthony Powell, e përshkruante dikur Konradin si një “figurë enigmatike. Sa më shumë lexojmë për të, aq më pak na duket se dimë”. Biografia mund të mos e zbulojë të gjithë misterin pas këtij personazhi, por është një inkurajim i fuqishëm për të lexuar librat e tij.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/