Vetingu dhe drejtësia janë cilësuar nga ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, si prioritetet krzesore të 100 ditëshit të parë të qeverisë.
Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, Xhafaj tha se nisja e vetingut në polici do të jetë pika kyçe, për të pasur një strukturë me standarde evropiane dhe të përkushtuar ndaj shërbimit qytetar.
“Kërkojmë një qeveri të lidhur me qytetarët. Do të krijojmë një marrëdhënie më të mirë mes qytetarëve dhe policisë. Do të jemi të fokusuar tek parandalimi i dhunës në familje. Lufta kundër krimi të organizuara do të mbetet sfida kyçe. Kryeministri që në gusht e ka përcaktuar si një prioritet të punës së qeverisë”, tha ai.
Në lidhje me situatën e kanabisit në vend, Xhafaj theksoi se shumë shpejt një raport zyrtar i monitorimit ndërkombëtar do të jetë publik.
“Do të punojmë për ngritjen e strukturave për goditjen e paligjshmërisë, bllokimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale. Kemi punë për të bërë për menaxhimin e kufirit që mbetet prioriteti ynë, për azilkërkimin dhe trafikun e qenieve njerëzore.
Do të përmirësojmë masat e regjimit të kontrollit në kufi, në pikat e kalimit kufitar portual dhe në aeroportin e Rinasit, do të bëjnë lehtësime për shërbimet ndaj qytetarëve dhe si nevojë për prezantimin më të mirë të vendit për vizitorët dhe turistët e huaj”, tha Xhafaj.
Në fjalën e tij, ministri i Brendshëm nuk ka lënë mënjanë edhe batutat në drejtim të opozitës. Ai tha se dallimi thelbësor mes nesh dhe atyre është që ata krimin e kthyen në bashkëjetesë me drejtësinë e kalbur, drejtësinë e vunë në dispozicion të grupeve kriminale, kanabisin e vunë në mbrojtje të shtetit dhe sot e përdorin si përbaltje ndaj shtetit, policisë dhe neve që udhëhoqëm proçesin e reformimit të drejtësisë për ta ndarë nga krimi, ne që kemi vullnetin dhe jemi të aftë ta zbatojmë këtë reformim dhe për ta cuar drejtësinë në vendin që meriton. /tesheshi.com/