Ndërsa presidenti Thaçi zotohet se nga korrigjimi i kufirit me Serbinë do bashkohet vetëm Lugina me Kosovën dhe assesi nuk do humbet Veriu, homologu i tij serb Vuçiç ka bërë të qartë se në rast të arritjes së një marrëveshjeje mes palëve, nuk mund të ketë vetëm një humbës.
“Le t’i presim rezultatet dhe kështu mund të shohim se kush çka ka fituar, e kush çka ka humbur. Në marrëveshjen eventuale me shqiptarët, duhet ta dimë që të gjithë do të humbim nga pak”, tha Vuçiç, kur u pyet nga gazetarët nëse përfaqësuesit shqiptarë nga komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë do të shkojnë në Tiranë për bisedime.
Vuçiç, duke folur për dialogun e Brukselit, ka thënë se Beogradi dhe Prishtina nuk janë fare afër arritjes së marrëveshjes.
“Është shumë vështirë të arrijmë çfarëdo marrëveshje. Nuk jemi afër, nuk ka marrëveshje. Se a jemi afër zgjidhjes, nuk jemi, jemi mjaftë larg saj. Por, nëse arrijmë një marrëveshje të tillë, unë do t’i informojë qytetarët,” tha Vuçiç.
Ai ka bërë të ditur se ditët në vijim do të takohet me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe presidentin Thaçi. /tesheshi.com/