Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, do të udhëtojnë për në Bruksel, ku javën e ardhshme, në 25 gusht, zhvillohet raundi i 28-të i nivelit të lartë kryeministror, para të cilit nesër mbahet një takim në nivel teknik.
Në tavolinë bisedimesh të kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç përsëri do jenë katër çështje të diskutuara edhe në dy raundet e kaluara, në 23 dhe në 29-30 qershor: Parimet themelore për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kodi telefonik, energjia dhe ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Sipas deklaratave në qeverinë e Kosovës, për Asociacionin e komunave janë përafruar qëndrimet, jo të Statutit, por vetëm të parimeve themelore, për kodin telefonik marrëveshja është e përfunduar praktikisht, ndërsa çështjet e marrëveshjes për energjinë dhe lidhur me urën mbi Ibër nuk janë përfunduar dhe kanë mbetur që të diskutohen në vijim.
Qëndrimi që ka prezantuar Kosova në raundin e 27-të kryeministror në Bruksel është që të bëhen përpjekje që këto katër marrëveshje të përfundohen dhe që si pako të realizohen, duke e nënshkruar secila veç e veç.
“Është vazhduar të punohet edhe gjatë kësaj periudhe me Brukselin, po më tepër në nivel teknik, sa i përket përafrimit të disa zgjidhjeve lidhur me Asociacionin e komunave, ka akoma çështje të hapura, dhe ne do të mundohemi që të gjitha këto çështje t’i përafrojmë”, është shprehur kryeministri Mustafa në konferencën e fundit për shtyp në Prishtinë, këtë muaj, duke iu përgjigjur interesimit të medias.
“Kur flitet për përafrimin, ne insitojmë në ate dhe do të qëndrojmë në mënyrë konsekuente që Asociacioni të mos ketë asnjë përgjegjësi ekzekutive dhe të mos jetë pushtet i tretë në Kosovë. Po, të gjendet mënyra se si Asociacioni do të përkrahë, do të ndihmojë zhvillimin ekonomik, kulturor, arsimor edhe zhvillimin tjetër të komunave me shumicë serbe”, ka theksuar kryeministri kosovar, Mustafa.
Ndërkohë, kryeministri i Serbisë, Vuçiç, do mbajë nesër në Beograd një konferencë shtypi, bën të ditur sot media serbe, e cila nuk paralajmëron ndonjë temë të veçantë.
Në Bruksel, kryeministrat Mustafa e Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, do zhvillojnë takimin e pestë të tyre, ndërsa nga 27 raundet deri tani të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.
Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012. Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut./tesheshi.com/