Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, ka zhvilluar vizitën e paralajmëruar në Preshevë, e cila ka shkuar normalisht dhe është takuar vetëm mre kreun e komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa. Në maternitetin e ngritur me kontributin e përbashkët edhe të qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës, Vuçiç ka zhvilluar një vizitë dhe më pas ka deklaruar se “një të tillë nuk e ka as Vranja (komuna pranë Preshevës) dhe disa komuna të Beogradit.
Vizita e kryeministrit serb në Preshevë ka filluar me takim të mbyllur. Në pjesën joformale në takimin me kryetarin e komunës së Preshevës, kryetari Mustafa i ka dhënë një certifikatë mirënjohje kryeministrit serb si kryeministri i parë serb që viziton Preshevën.
Në vizitë me kryeministrin së bashku kanë qenë edhe ministri për punë dhe çështje sociale Aleksandar Vulin, ministri i shëndetësisë Zlatibor Lonçar, ministri i punëve të brendshme Nebojsha Stefanoviç dhe kryetari i trupit Koordinues Zoran Stankoviç.
Vuçiç ka vizituar edhe maternitetin e sapohapur në Preshevë, të cilën e ka vlerësuar si shumë mirë të pajisur, ndërsa ka dëgjuar se një maternitet të tillë nuk e ka as Vranja, Leskoci edhe disa komuna në Beograd.
“Kemi filluar të dëgjojmë njëri tjetrin. Kemi prekur shumë tema, do të zgjidhim problemet në arsim, por do të ndihmojmë edhe ndërtimin e zonës industriale në këtë komunë” ka thënë Vuçiç.
Kryetari i komunës së Preshevës ka thënë se disa ministra nga qeveria e shkuar nuk e kanë “ditur fare që Presheva gjendet në Serbi” dhe se shqiptarët dinë të vlersojnë vizitën e tij.
I pyetur nga gazetarët se si është ndjerë në Preshevë ku gjendet për herë të parë, Vuçiç ka thënë se menjëherë ka vërejtur një klub shahu dhe se e ka përkujtuar atë kur ka qenë në ushtri dhe se me shqiptarët më së shpeshti ka luajtur shah.
“Presheva është qytet i gjallë dhe energjik, shihet se ka plot njerëz nëpër rrugë, çka flet edhe për një papunësi të madhe në këtë komunë” ka përfunduar Vuçiç./tesheshi.com/