Eliminatoret për botërorin Rusi 2018 janë luajtur dhe përtej oqeanit, në Amerikën e Jugut. Disa prej lojtarëve më të mirë në kampionatet e vendeve europiane janë zhvendosur prej ditësh, për t’u dhënë tonin këtyre eliminatoreve.
Në ndeshjet e nënta të grupit amerikanolatin, fitorja më e thellë ka ardhur nga Brazili, që ka mposhtur 5-0 Bolivinë.
Neymar ka hapur serinë e golave, për të shënuar më tutje Coutinho, Filipe Luis, Gabriel Jesus e Firmino. Ka qenë kjo e treta fitore radhazi për Brazilin, që konsolidon pozitat në grup.
Uruguaji ka ruajtur kryesimin e grupit, duke fituar 3-0 ndaj Venezuelës. Një fitore e pritshme, duke patur parasysh se përballë ka qenë skuadra më e dobët mes të dhjetave. Dy prej golave mbajnë firmën e Cavani-t, e njëri u shënua nga Lodeiro.
Pa Messi-n e dëmtuar, Argjentina është ndalur në Lima ndaj Perusë. Një transfertë e vështirë tradicionalisht për të gjitha skuadrat e mëdha.
Peruja dhe Argjentina kanë marrë nga një pikë nga sfida e mbyllur 2-2. Ramiro Funes Mori dhe Higuain kanë qenë shënuesit për udhëtuesit, ndërkohë që për pritësit golat janë shënuar nga Guerrero e Cueva.
E pakuptueshme rënia e Kilit, që ka një seri rezultatesh negative. Ekuadori fitoi 3-0 ndaj kampionëve të Kupës së Amerikës. Valencia, Ramirez dhe Caicedo shënuan në portën e mbrojtur nga Claudio Bravo, portieri i Mançester Sitit.
Kolumbia fitoi 0-1 në fushën e Paraguajit. Kolumbianët qenë me fat, pasi e gjetën golin në minutën e 91-të, kur shënoi Cardona.
Uruguaji e kryeson grupin amerikanolatin, me 19 pikë, një më shumë se Brazili i vendit të dytë. /tesheshi.com/