Halepi vazhdon të jetë nën bombardimin e pandalur nga forcat e regjimit të Beshar Esadit. Vetëm në javën e fundit, sipas raportimit të Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, janë vrarë 141 civilë, 18 prej të cilëve kanë qenë fëmijë.
I njëjti organizëm deklaroi të martën se gjatë dy muajve të fundit kanë gjetur vdekjen 834 civilë, duke përfshirë 176 fëmijë.
Lufta nuk duket të ketë të ndalur, ndërsa ushtria siriane e regjimit njoftoi formimin e një force të re komando, por pa e specifikuar se ku do të dislokohet ajo.
Një deklaratë e ushtrisë siriane e shpjegoi formimin e forcës së re si “një përgjigje ndaj zhvillimit të shpejtë të ngjarjeve, për të mbështetur sukseset e forcave të armatosura…”.
Përndryshe, një mjek në lindje të Halepit, e i plagosur nga sulmet e fundit ajrore, e ka quajtur atë çka po ngjet si një “luftë shfarosjeje”.
“Kjo fushatë e egër është një luftë shfarosjeje. Gjithçka është një objektiv, qoftë njeri, pemë apo shkëmb. Gjithçka po shfaroset me pajtimin e heshtur të OKB-së. Ata dëgjojnë dhe shohin, por nuk përgjigjen; dhe nuk mund ta ndalojnë këtë makinë lufte,” deklaron mjeku i pezmatuar.
“Nuk kemi asnjë veç Zotit,” është fraza e tij, që përmbledh dramën e njerëzve të rrethuar e të bombarduar në Halep. /tesheshi.com/