Kreshnik Gjini, 31 vjeç, u ekzekutua në komunën Forest të Belgjikës dy ditë më parë, nga persona ende të panjohur.
Ai u qëllua me dy plumba dhe e gjithë ngjarja ndodhi para syve të koleges së tij të punës, Liliane.
Kreshnik Gjini punonte kamarier në një lokal në Saint-Denis. Mbrëmjen e së martës, ai mbylli llogaritë e xhiros ditore, kyçi biznesin dhe u largua me kolegen e tij. Këtë të fundit do ta shoqëronte me makinë në shtëpi, pasi nuk kishte mundur të arrinte tramvajin e fundit mbrëmjen e së martës.
Të dy shkuan drejt parkingut ku shqiptari kishte makinën. Sapo 31-vjeçari u fut në automjet, aty u shfaqën dy persona të maskuar. Ata e qëlluan me dy plumba duke e lënë të vdekur në vend. Kolegia e tij Liliane që pa të gjithë skenën e krimit, nuk pësoi asnjë lëndim. Ajo ka dhënë dëshminë e saj para hetuesve belgë, transmeton Tv Klan.
“Në punë ai ishte një djalë simpatik dhe gjithmonë ishte korrekt. Por, natyrisht nuk e di se çfarë ka ndodhur në jetën e tij private. Unë e di se familja e tij është në Shqipëri dhe ai aty e kishte zemrën gjithmonë dhe donte të kthehej. Dyshoj se ngjarja ka lidhje me ndonjë mosmarrëveshje. Nikon e shikoja si djalin tim”, ka thënë kolegia e tij Liliane.
31-vjeçari, i cili në Belgjikë përdorte emrin Niko K., mbrëmjen e së dielës ka qenë në një festë me kolegen e tij në një lokal në Faubourg në Saint-Denijsplein. Aty ai pati edhe kërcimin e tij të fundit, shkruajnë mediat belge që po mundohen të hedhin dritë mbi vrasjen e shqiptarit.
“Ne po kërcenim dhe Niko më tha se do të ishte mirë sikur ai të arrinte të kuptonte se çfarë donte. Ndoshta ndiente diçka”, thotë Liliane duke aluduar se ndoshta Kreshnik Gjini e kishte kuptuar se fundi i tij ishte i afërt.
Për kolegen dhe eprorin në punë të 31-vjeçarit, ka vetëm pikëpyetje në lidhje me vrasjen e tij. Sipas tyre, ai ishte shumë i sjellshëm në punë dhe nuk kishte shfaqur asnjëherë probleme.
Hetuesit belgë dyshojnë se vrasja e Kreshnik Gjinit mund të jetë hakmarrje nga shqiptarë të tjerë.
Ata thonë se dy vrasësit u larguan drejt një zone të pyllëzuar pas krimit, duke ju referuar dëshmisë së koleges së viktimës. Deri tani, nuk ka ende asnjë gjurmë të autorëve. /tesheshi.com/