Tre kandidatët që synojnë karrigen e kryeministrit, Ramush Haradinaj nga koalicioni PDK-AAK-NISMA, Avdullah Hoti nga LDK-AKR-Alternativa dhe Albin Kurti nga Vetëvendosje kanë kryer obligimin qytetarë qysh në orët para të mëngjesit.
Të tre u kanë bërë thirrje qytetarëve të dalin të votojnë dhe kanë uruar që procesi të shkojë mbarë dhe paincidente.
Kutive të votimit i pari i është drejtuar Haradinaj, ku së bashku me bashkëshorten, ka votuar në shkollën “Ali Sokoli” në kryeqytet.
Pas votimit, Haradinaj ka thënë pret që të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. Gjithashtu ai ka thënë se do të respektojë vendimin e zgjedhjeve të sotshme, pasi sipas tij, ai do të jetë vendim i qytetarit.
“Vota e tyre ka peshë dhe do të përcaktojë fatin e Kosovës për 4 vitet e ardhshme”, ka deklaruar Haradinaj
Më pas ka votuar Hoti, në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, i cili është shoqëruar nga bashkëshortja të cilët kanë uruar për një proces të rregullt zgjedhor.
“Sapo e përfunduam obligimin qytetar. Zgjedhjet janë shumë të rëndësishme për Kosovën. Ftoj qytetarët që të votojnë sepse është një e drejtë e tyre kushtetuese. Po ashtu ftoj komisionarët, vëzhguesit, policinë, prokurorinë, KQZ-në të kryejnë punën që u takon”, ka thënë Hoti.
Ai nuk dyshon që zgjedhjet do të shkojnë keq gjatë ditës së sotme
“Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme. Ftoj që të respektohen rregullat”, ka deklaruar Hoti.
Edhe kandidati për kryeministër në radhët e Vetëvendosjes, Albin Kurti ka kryer obligimin e tij qytetar, në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.
Ai ka thënë se këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme për Kosovën.
“Posa e kreva të drejtën demokratike dhe obligimin qytetar për të votur për këto zgjedhje që janë të rëndësishme për vendin tonë. Dalja e qytetarëve do të jetë masive, moti është i përkryer s’ka as shi as diell”, ka thënë ai.
Ai më tutje ka shtuar se nga këto zgjedhje do të dal legjislatura e gjashtë dhe qeveria e re e Kosovës.
“Urime festa e demokracisë sepse komisionerët dhe vëzhguesit tanë në bazë të informacioneve edhe KQZ-ja i kanë marr gjitha masat që gjithçka të shkojë siç duhet dhe si është më së miri”, ka thënë Kurti. /tesheshi.com/