Nga Musa Mustafa
Lideri radikal serb, Vojsllav Sheshel, i sapo shpallur i pafajshëm nga Haga, pritet që të martën të shfaqet në një tubimin elektoral në veri të Mitrovicës, edhe përkundër ndalesës që i ka bërë qeveria e Kosovës këtij ultranacionalisti serb që nuk njeh të ndalur në qëndrimet e tij kontraverse.
Partia Radikale Serbe (SRS-ja), në veri të Mitrovicës dhe Kosovës ka paralajmëruar se të martën në ora 12:00 në sheshin “Vëllezërit Miliq” që gjendet në afërsi të urës kryesore të lumit Ibër, do të mbajë një tubim elektoral.
Kjo parti ka paralajmëruar se në tubimin e së martës në veri të Mitrovicës do të jetë dhe kryetari i kësaj partie, Vojisllav Sheshel, duke theksuar se “ai nuk do ta respektojë vendimin e një të ashtuquajture qeveri inekzistente të Prishtinës”.
“Kosova është Serbi dhe Shesheli do të lëvizë lirshëm në tërë veriun e Kosovës”, ka thënë Dobrislav Dobriq, kryetar i Partisë Radikale Serbe për Kosovë.
I tërë veriu i Kosovës është mbuluar me billborde të Vojisllav Sheshelit në të cilat shkruhet: “Të presim fitues!”, duke aluduar kështu në vendimin për pafajësi ndaj tij që u dha nga Tribunali i Hagës, si dhe në fitoren e tij në zgjedhje që do të mbahen nga fundi i këtij muaji në Serbi.
Por pak ditë më parë, u publikua një dokument të autoriteteve tëg Prishtinës ku Vojisllav Sheshel shpallej edhe zyrtarisht “person non grata”, që do të thotë se i është ndaluar hyrja në Kosovë.
Vendimi është nënshkruar nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, dhe është hartuar bazuar në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi dhe në ligjet e tjera të Kosovës.
Ky vendim, i nënshkruar më 4 mars 2016, e obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe organet e tjera, që t’ia ndalojnë Sheshelit hyrjen në Republikën e Kosovës.
Dhe të martën, është rasti që shteti i Kosovës t’i tregojë atij muskujt, forcën, autoritetin nëse mëton se i ka këto. Në të kundërt do i lejojë vetes një poshtërim të paprecedent, aq më tepër pas vendimin për ta shpallur “non grata”.
Siç është vënë re, vendimi i Hagës që e shpalli të pafajshëm Sheshelin, i ka dhënë atij më shumë krahë e kurajo për t’i vijuar qëndrimet e deklarimet e tij ultranacionaliste. Dhe të martën, ai do të tentojë ta sfidojë Kosovën, shtetin e saj, që ai e lufton me një përbetim prej të çmenduri. Të shohim se si do reagojë Prishtina ndaj tij dhe çmendurisë që ai përfaqson…
/tesheshi.com/