Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se mercenarët e grupit paramilitar rus Wagner po punojnë me formacionet paraushtarake serbe për të kontrabanduar armë dhe uniforma ushtarake në Kosovë, me qëllim që të përgatisin një “sulm ndaj Kosovës”.Osmani ka thënë për Telegrafin britanik se “u krijua një operacion sekret për të hedhur bazat për një sulm të mundshëm hibrid nga Serbia dhe pushtimin e territorit të Kosovës”.
Ajo tha se këto përgatitje të supozuara kanë paralele me aneksimin e Krimesë në Rusi në vitin 2014, kur ushtarët rusë të veshur me uniforma pa të gjitha shenjat, të quajtur “burrat e vegjël të gjelbër”, përgatitën rrugën për shkëputjen e gadishullit nga Moska.
“Ata sjellin armë dhe uniforma, por formalisht nuk janë pjesë e ushtrisë serbe. Serbia dëshiron t’i arrijë qëllimet e saj pa i quajtur operacion ushtarak”, tha Osmani.
Sipas saj, qëllimi i Serbisë është të “përgatisë situatën për aneksimin e mundshëm – jo me një operacion tradicional ushtarak, por me një lloj sulmi hibrid”.
Osmani vlerësoi se Beogradi vazhdon të ngrejë tensionet në rajon në bashkëpunim me grupin rus Wagner, i cili së fundi filloi një fushatë për rekrutët nga Serbia për luftën në Ukrainë. /tesheshi.com/