Me dhjetëra xhami në Britaninë e Madhe hapin dyert për jo muslimanët gjatë kësaj fundjave, në një përpjekje për të përballuar perceptimet negative mbi Islamin dhe informimin e njerëzve për besimin.
Më shumë se 80 xhami marrin pjesë në vitin e dytë të organizimit të quajtur “Vizito xhaminë time”, realizuar nga Këshilli Musliman i Britanisë. Aktiviteti i ngjashëm i vitit të kaluar ku u përfshinë 20 xhami mblodhi me qindra vizitorë për të parë nga afër xhamitë, për të biseduar dhe për të pirë çaj.
Shumë nga xhamitë pjesëmarrëse janë në qytete me popullsi të mëdha muslimane, ku përfshihen Londra, Birmingami, Mançesteri, Lidsm, Glazgou dhe Kardifi, por në projekt janë përfshirë edhe xhamitë në Belfast, Plejmuth dhe Kanterbëri.
Në projekt marrin pjesë edhe dy nga xhamitë më të vjetra në Britaninë e Madhe, xhamia Shah Jahan në Ëoking, Surrey dhe xhamia Abdullah Quilliam në Liverpool, të cilat datojnë që nga fundi i shekullit të 19-të. Disa nga xhamitë më të mëdha të Mbretërisë së Bashkuar, ku përfshihet edhe Qendra Kulturore Islamike në Londër, xhamia East London dhe xhamia qendrore e Birmingamit, do të ofrojnë prezantime me Islamin, mundësi për të parë nga afër faljen, vizita me informacione dhe shpjegime për aktivitetet e komunitetit.
Dita e hapur, siç njihen aktivitete të tilla, synon të “sjellë një platform për muslimanët që të kontaktojnë me bashkëqytetarët britanikë dhe të shpjegojnë besimin e komunitetin përtej titujve të parë armiqësorë”.
“Xhamitë lokale gjithashtu, do të ftojnë liderët e besimeve të tjera, për të demostruar së bashku unitet dhe solidaritet gjatë asaj që është cilësuar një kohë e tensionuar për komunitete fetare”.
Gjatë vitit të kaluar, ka pasur një rritje të konsiderueshme të incidenteve me bazë urrejtjen kundër muslimanëve. Sipas të dhënave nga policia metropolitan, krimet islamofobike janë shtuar në 70 për qind në 12 muaj deri në korrikun e vitit të shkuar.
Një studim nga Komisioni Islamik i të Drejtave të Njeriut, publikuar në Nëntor, gjeti se gjashtë nga 10 muslimanë britanikë thonë se kishin qenë dëshmitarë të diskriminimit ndaj ndjekësve të besimit islam, dhe se klima e urrejtjes drejtohet nga politikanët dhe media.
“Tell MAMA”, një organizatë që monitoron sulmet kundër muslimanëve dhe abuzimet ndaj tyre, i përcakton krime të tilla si “çdo akt keqdashës me target muslimanët, pronën e tyre material apo organizata islamike dhe ku ka prova se akti ka motivacion anti-musliman apo se viktimat janë shënjestruar për shkak të identitetit të tyre musliman”. Në këtë përcaktim përfshihen edhe “incidentet ku viktima është menduar se ka qenë musliman”.
“MCB” thotë se xhamitë që marrin pjesë në projekt përfaqësojnë “diversitetin e traditave islamike, me xhami nga një spektër i gjerë i shkollave islamike të mendimit dhe traditave… përfshirë disa nga xhamitë më të ëmdha të vendit që kanë traditë në aktivitete të tilla, sikundër edhe xhami më të vogla që organizojnë këtë ditë të hapur për herë të parë”.
Sipas censusit të vitit 2011, në Mbretërinë e Bashkuar jetojnë rreth 2.7 milionë muslimanë, që përbëjnë rreth 4.5 për qind të popullsisë. Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/