Është hera e dytë që viziton Shqipërinë, por prania e saj ka padyshim një peshë të caktuar politike.
Bëhet fjalë për nëndetësen turke “TCG PREVEZE S 353”, e cila vizitoi Shqipërinë për tre ditë dhe u ankorua në Durrës.
Krerët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë kanë vizituar nëndetësen duke dhënë mesazh publik.
Zyrtarisht, në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se qëllimi i vizitës është zhvillimi marrëdhënieve dy palwshe, si dhe për të informuar autoritetet shqiptare për mundësitë dhe aftësitë ushtarake të Republikës së Turqisë.
Por siç bën të ditur revista turke që botohet në anglisht, turkishnavey, “vizita e nëndetëses ka një mesazh që tregohet qartë më emrin e saj. Ajo tregon betejën e fituar nga Flota Osmane ndaj flotës së Papatit të Romës në Gjirin e Artës, pikërisht në Prevezë”.
Preveza është edhe një nga qytetet kryesore të Çamërisë dhe kryeqendra e zonës së Artës.
Beteja e Prevezës u zhvillua në vitin 1538 ku u ndesh Flota e Admiralit të famshëm Osman. Hajredin Pashë Barbarosa dhe Flota e Aleancës së Krishterë me në krye Papa Pali III.
Hajredin Pasha arriti pushtimin e 7 ishujve grekë që ishin nën okupimin e Republikës së Venedikut.
Pas këtij veprimi, një aleancë ndërmjet Papatit, Venedikut, Spanjës, Republikës së Gjenovës dhe Kavelierëve të Maltës u ndeshën pranë Prevezës me flotën e admiralit të famshëm osman.
Beteja është e rëndësishme në historinë e mesjetës së vonë pasi Flota Osmane mundi dy fuqitë dominuese në Mesdhe, Venedikun dhe Spanjën.
Pas kësaj fitorje u nënshkrua traktati mes Perandorisë Osmane dhe Republikës së Venedikut, ku osmanët morën zotërimet veneciane në zonën e Moresë, përkatësisht territoret ku banonin shqiptarët, ndërkohë që Venediku do të paguante një detyrim prej 300 mijë dukatësh të artë si dëmshpërblim lufte.
Është hera e dytë që kjo nëndetëse turke zhvillon vizitë portuale në Durrës. Më parë ajo ka kryer një vizitë më 29 shtator të vitit 2015 dhe është larguar më 3 tetor të atij viti nga porti durrsak.
Nëndetësja TCG Preveze S – 353 ka gjatësinë 62 m, gjerësinë 5,8 m, peshkimi 6,3 m, tonazhi 1400 tonë. Është një nga nëndetëset më moderne të flotës luftarako-detare të Turqisë.
Disa portale greke, kryesisht të linjës së ashpër dhe që zotërohen nga ushtarakë kanë publikuar shkrime alarmuese.
Portali “Veteranos”, i cili shkruan kryesisht për ish-ushtarakët e armatës greke, ka publikuar një shkrim ku thekson se “Turqia dhe Shqipëria po provokojnë trazira në Egje”. /tesheshi.com/