BE do e kontrollojë për dy ditë situatën në Kosovë, me qëllim konstatimin e përmbushjes së kushteve për heqjen e vizave. Edhe për faktin se opozita e Kosovës konsideron se nuk është bërë mjaft për të përmbushur kriterin e fundit për heqjen e vizave – luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, shkruan Al Jazeera.
Ministrja për Integrime Evropiane, Dhurat Hoxha njoftoi se Delegacioni i BE-së do të qëndrojë në Kosovë prej 3 deri më 5 maj, ku do të mbledhë të dhëna nga institucionet e Kosovës se sa është bërë për të përmbushur kriteret e fundit për liberalizimin e vizave.
Ajo konfirmoi se institucionet tashmë kishin bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe shprehën besimin se Kosova do të merrte rezultate pozitive.
Por opozita e Kosovës është skeptike se pas kësaj vizite do të ketë lajm të mire, pikërisht nga mungesa e rezultateve anti-korrupsion.
Një nga kushtet e vështira për heqjen e vizave ishte votimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.
Sapo kaloi në parlament, presidenti Thaçi tha se “tani topi është në oborrin e Komisionit Evropian për të ndërmarrë hapa për t’i dhënë fund izolimit të Kosovës”.
Edhe kryeministri Haradinaj nga ana e tij shprehu besimin se BE do të bëjë atë që premtoi dhe do të heqë regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Raportuesi special i Parlamentit Europian për Kosovën, Igor Sholtes e përshkroi kalimin e Demarkacionit si “një hap shumë të rëndësishëm dhe të madh drejt liberalizimit të vizave”.
Por në horizont ende nuk duket diçka konkrete. /tesheshi.com/