Kisha Ortodokse Serbe absolutisht mbetet e mendimit se Kosova është një pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, pa të cilën Serbia nuk është Serbi, tha Patriark Irinej me rastin e “Vidovdan”-it (Beteja e Fushë-Kosovës – 1389).
Megjithëse vitet e kaluara ai kaloi një nga festat më të mëdha të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, këtë herë, për shkak të detyrimeve të tij në Beograd, patriarku serb nuk do të udhëtojë.
“Këtu filluan të gjitha. Ne duhet të luftojmë për atë territor dhe duhet të gjejmë një mënyrë që ai të mbetet brenda vendit tonë. Pushteti vjedh vendet dhe qytetet, por ajo që është vjedhur mund të rimerret një ditë. Kosova është dëshmia më e mirë për këtë, sepse ajo ishte nën turqit për një kohë të gjatë, dhe prapëseprapë ajo u çlirua”, tha Irinej për portalin Nova.rs.
Duke folur për domethënien e “Vidovdan”-it dhe kontekstin në të cilin festohet, patriarku theksoi se Kosova dhe Metohija formojnë themelin e shtetit, pa të cilin “Serbia nuk është Serbia”.
“Këtu filloi kultura jonë. Faltoret tona më të mëdha janë të vendosura në atë zonë, dhe gjaku i madh është derdhur që nga ‘Vidovdan’-i e deri më sot”, tha ai.
Patriarku shtoi se Kosova është “një vend i shenjtë, me të cilin është i lidhur e gjithë historia e popullit serb”.
Irinej theksoi se kjo festë do t’i kushtohet plotësisht Vidovdanit në të gjitha tempujt e Kishës Ortodokse Serbe.
“Do t’ia kushtojmë tërë ditën kësaj feste. Do të ketë fjalë, fjalime dhe predikime. Çdo kishë do ta shënojë në mënyrë të duhur këtë festë”, tha patriarku serb. /tesheshi.com/